16 Mars, 2023 - 1:42 pm
Në Teatrin e Operas dhe Baletit u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës koncerti “Mbrëmje Pranverore”, i organizuar nga Liceu Artistik “Jordan Misja” dhe “Shkolla Kombëtare Koreografike”.
Mbas disa dekadash, me mbështetjen e bashkisë Tiranë, dy shkollat artistike kryesore të Shqipërisë, risollën frymën e bashkëpunimit artistik, duke frymëzuar dhe motivuar brezat e rinj me anë të praktikës artistike në skenë. Mbi 200 nxënës dhe mësues janë të angazhuar në një repertor të muzikës serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ky koncert ishte edhe një homazh për brezat e kaluar të artistëve pedagogë, të cilët me pasion, punë dhe dashuri për artin, krijuan traditën shumëvjeçare të përcjelljes së dijes, që prej themelimit të këtyre shkollave.
Orkestra Simfonike dhe Kori përbëhej nga nxënësit dhe mësuesit e Liceut Artistik “Jordan Misja”, me solistë Alba Metaj (violinë), Etleva Kolnikaj (piano), Edlira Novaku Gjoni (violonçel), Erjana Riza (piano), Lorian Deda (bariton) dhe Albana Bajraktari (soprano) nën drejtimin e dirigjentëve të Liceut, Mira Sulejmani, Besa Kacinari dhe Andi Kongo.
Numrat koreografikë u interpretuan nga nxënësit e “Shkollës Kombëtare Koreografike” me solistë Eskiejda Allka, Mirjan Llapushi, Bianka Skënderi, Graciela Sallaku, Uendi Xhixha, Floresida Hida, Ester Koni dhe Justin Deda. Koreografitë janë krijuar nga Blerina Arbana, Joli Eleni Gjovreku, nën kujdesin e drejtoreshës së “Shkollës Kombëtare Koreografike” Blerina Arbana dhe drejtimin artistik të Etleva Kolnikaj, drejtore e Liceut Artistik “Jordan Misja”./atsh/ KultPlus.com/