9 Qershor, 2023 - 7:16 pm
Flonja Haxhaj
Në mbrëmjen e 8 qershorit, në orën 20:00, Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës u mbush me magjinë e shfaqjes së baletit ‘Corerr o Fado’. Kjo përformancë e jashtëzakonshme shënoi një moment historik, duke sjellë për herë të parë në skenën e Prishtinës esencën e kulturës portugeze. Adaptuar posaçërisht për balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, ky spektakël u përcoll me duartrokitje entuziaste dhe la një ndikim të thellë tek audienca, shkruan KultPlus.
Kur publiku zuri vend nëpër ulëse, dritat e vetme u pozicionuan në skenë dhe dalëngadalë edhe balerinët po zinin vendet e tyre, si një paralajmërim për emocionet që do të përcjellnin në minutat në vazhdim. Me kostumet e tyre shumë ngjyrëshe dhe lëvizjet elegante e të sinkronizuara, balerinët e BKK-së sollën një panoramë të gjallë të Fados, muzikës tradicionale dhe zhanrit emocional të këngës në kulturën portugeze.
Balerinët Vjollca Llugiqi, Fatmir Smani, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Mërgime Morina, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi dhe Fisnik Smani, të trajnuar për një muaj nga koreografi Daniel Cardoso dhe asistentja e tij Ines Codinho, arritën ta portretizojnë kulturën portugeze përmes një performancë të jashtëzakonshme.
Nën tingujt melankolikë e romantikë të André Santos, Luís Guerreiro dhe Max Ciuro, tetë balerinët arritën që përmes gjuhës së trupit dhe lëvizjeve të transmetojnë lidhjet me gruas dhe burrit. Me një bashkëpunim tejet të ndjeshëm me muzikën, balerinët arritën që me çdo lëvizje të tyre të shprehin vuajtjen, dashurinë, mallin e thellë, e kësisoj duke dhuruar një performancë magjepsëse.
Megjithatë, kulmi më i madh i shfaqjes erdhi kur balerina e njohur Vjollca Llugiqi hyri në ujë. Ky veprim i papritur dhe i guximshëm shtoi edhe më shumë thellësinë emocionale dhe dërgoi shfaqjen në një nivel tjetër.
Shfaqja ‘Correr o Fado’ në Prishtinë, në fund u përcoll me duartrokitje të shumta nga publiku i pranishëm, si një shenjë që energjia e jashtëzakonshme dhe emocionet e thella të artistëve ishin transmetuar tek gjithsecili.
Pas shfaqjes, mes emocioneve, për KultPlus foli vetë koreografi Cardoso i cili u shpreh i lumtur për performancën, që ishte një rezultat i një punë intensive.
“Balerinët punuan shumë fort dhe punuan intensivisht për të arritur lëvizjen time, për të arritur cilësinë time dhe mënyrën e punës sime. Pra, ishte hera e parë që punuam së bashku dhe kur e shoh rezultatin përfundimtar tani, jam shumë i lumtur. Ata bënë një punë shumë të mire”, theksoi Cardoso duke shprehur admirimin e tij për angazhimin dhe performancën e balerinëve.
Një element dallues që zuri vend të veçantë në shfaqje ishte edhe uji, e që sipas koreografit kjo nuk ishte rastësi, sepse ky detaj ishte vendosur për ndërlidhjen që ka me Portugalinë dhe territorin e saj. Megjithatë kutitë e mbushura me ujë i dhuruan performancës edhe një identitet unik dhe mbresëlënës.
“Uji është prezent sepse kjo pjesë, kur u krijua për herë të parë në kompaninë time në Portugalië, u krijua si një pjesë që përfaqëson kulturën portugeze. Uji është prezent sepse uji është ai që bëri Portugalinë të njohur në botë, në kohërat e zbulimit. Pra, kjo është arsyeja pse uji ishte një element që dëshiroja të vendosja në skenë. Nuk është gjë shumë e lehtë për t’u bërë, sepse nga pikëpamja teknike nuk është kaq e lehtë, madje është shumë e rrezikshme sepse është ujë, në teatër. Por, ishte e rëndësishme për mua të kisha një element që mund të çonte shfaqjen në një nivel tjetër në terma të arteve vizuale, por që kishte të bënte me kulturën time – me kulturën portugeze”, shtoi Cardoso.
Pas shfaqjes, për KultPlus foli edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili vlerësoi lart këtë performancë që sipas tij ka sjellë një atmosferë ndryshe.
“Ishte një performancë ndryshe nga herët e tjera. Jam shumë i lumtur që u bëmë pjesë e një performance shumë të bukur, shumë të veçantë dhe pak më ndryshe,” u shpreh ministri Çeku.
Ndërkaq, ai foli edhe për kushtet e punës nëpër të cilat po detyrohen të punojnë trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, për përmirësimin e të cilave, Çeku thotë se po zhvillohen dy procese paralele.
“Janë dy procese që janë duke u zhvilluar paralelisht – restaurimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës, i cili është në fazën finale të hartimit të projektit dhe sapo ta kemi projektin e restaurimit do të fillojnë edhe ndërhyrjet restauruese dhe renovuese dhe në momentin që përfundon, ajo do të jetë skenë për Teatrin Kombëtar por edhe për të tjerët përfshirë edhe Baletin Kombëtar. Ndërkaq, së dyti , tashmë e kemi ngritur jurinë vlerësuese për t’i shqyrtuar tri propozime që na kanë ardhë për dizajnin e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe shpresoj shumë që juria vlerësuese vendorë dhe ndërkombëtarë shumë shpejt do të dalin me rezultatet për fituesin dhe në momentin që përzgjedhin projektin do të vazhdojmë hartimin e projektit zbatues dhe me këtë dinamikë shpresoj shumë që në vitin e ardhshëm të fillojë ndërtimi i objektit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”, tha Çeku për KultPlus.
Pa shfaqjes e cila u mirëprit shumë në publik, nën emocione të shumta foli edhe balerini Sead Vuniqi, i ciliu shpreh i lumtur sidomos për feedback-un që morën nga audienca.
“Po ndihemi shumë të lumtur, sidomos pas duartrokitjeve të publikut sepse ne luftojmë gjithmonë për ato. Secili prej balerinëve ndjehet sot shumë krenar, duke e ditur që sfidën që e kemi pasë në këtë shfaqje ka qenë goxha e madhe, por me vullnetin e secilit prej neve arritëm ta japim maksimumin tonë”, u shpreh Vuniqi për KultPlus.
Ndërkaq, balerina e cila dhuroi një performancë spektakolare, Vjollca Llugiqi, tha për KultPlus se shfaqja ‘Correr o Fado’ ia bëri të mundshme plotësimin e ëndrrës së saj, të performojë me muzikën Fado.
“Ka qenë një proces shumë i mirë, që nga fillimi ka qenë një emocion shumë i veçantë sepse ne e kemi ditur se me çfarë muzike kemi të bëjmë. Unë e adhuroj muzikën Fado dhe gjithmonë e kam pasë ëndërr që të paktën një herë në jetën time të bëj diçka me këtë muzikë, dhe sot më është realizuar ëndrra, u shpreh Llugiqi, duke shtuar më tutje se pjesa me ujë ka qenë një sfidë në vete.
E sinan Kajtazi, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, u shpreh i lumtur që pavarësisht kushteve në të cilat punojnë, trupa e BKK-së po arrin të sjellë mjeshtërisht një shfaqje të kapacitetit të tillë.
“Ky është projekti i dytë që Baleti Kombëtar i Kosovës ka realizuar gjatë vitit 2023 dhe jam shumë i lumtur që pavarësisht kushteve në të cilat jemi duke punuar për momentin për shkak të hyrjes në rinovim të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, po arrijmë të vazhdojmë punën, repertorin, shfaqjet, premierat, reprizat dhe sigurisht që ky fat më bën shumë të lumtur sepse duke e njohur nga brenda profesionin tonë, është shumë e rëndësishme ta ruajmë vazhdimësinë, me mbajt prova dhe ushtrime çdo ditë sepse është art fizik”, tha Kajtazi për KultPlus.
Ndërkaq, ‘Correr o Fado’ do të jepet sonte sërish para publikut në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Shfaqja e cila do të fillojë nga ora 20:00 do të ketë një ndryshim në trupën e baletit, ku sonte do të performojnë balerinët: Aulonë Nuhiu, Fatmir Smani, Luljeta Ademi, Kreshnik Musolli, Mërgime Morina, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Muhamet Bikliqi./ KultPlus.com