22 Mars, 2024 - 3:05 pm
Artisti Shkamb Jaka po sjell ekspozitën e tij të parë personale në Tiranë në Tulla- Culture Center të titulluar “Technotopia: Is This Hyperreal?”, dhe kuruar nga Labinot Kelmendi.
Ekspozita do të hapet më datë 29 mars, në ora 19:00.
Rreth ekspozitës e cila pritet të hapet javën tjetër, kuratori Labinot Kelmendi është shprehur se:
Teknologjia dhe Arti prej Antikës nuk kanë qenë të ndara, por shpesh janë përdorur si sinonime në kontekste të caktuara. Ato njëherazi edhe e shenjojnë karakterin produktiv të të-qenit-tonë-në-botë. Në këtë ekspozitë e kemi një bashkim të këtyre dy formave të shprehjes së qenies. Së pari: ekspozita si vendi (topoi) ku manifestohet kjo shkathtësi (techne) poetike (poiesis) dhe së dyti: vepra si një manifestim “tekno-estetikë” sepse formohet një simbiozë mes estetikës që është teknike dhe teknikës që është estetike. Ekspozita nëpërmjet këtij manifestimi tekno-estetikë e merr formën e një teknotopie. Pra, vendi ku piktura nuk është poezi e heshtur por ku transformohet në poetikë të zhurmshme. Si rrjedhojë e kësaj zhurme të bardhë [white noise] ajo e zvetënon raportin mes reales dhe imagjinares, origjinales dhe artificiales e ky moment shenjohet si përjetimi estetik i hiperrealitetit. Përjetimi estetik i hiperrealitetit na mundësohet kur fuzionohet një triptik i komponentëve, ai i pikturës, zhurmës dhe apratuseve që në ekspozitën e artistit Shkamb Jaka janë më se evidente.
Në veprën “Dimesions of Narcicuss” nëpërmjet tropeve që i gjejmë te surealizmi dhe ekspresionizmi na ofrohet përvoja dydimesionale në pikturën aktuale, e si potencialitet nëpërmjet intervenimeve të sipërpërmendura të imazheve teknike mëton të na ofrojë përjetimin katër-dimensional. Interteksti i veprës duket se e përshkruan dimensionin e narcisit hipermodern që nëpërmjet aparatuseve tenton të na heqë barrën e origjinalitetit. Andaj, fuzionimi mes pikturës dhe aparaturës nuk tenton që të projektojë ngjashmëri por përkundrazi hiperngjashmëri si moment i ftohtë i vdekjes së origjinalitetit që do të thoshte Baudrillard. Ky regjim i ftohtë nuk është heshtje por është zhurmë. Heshtja i takon rrafshit të atomeve ngase ato vdesin, ndërsa pjesëzat në formë të bitit i takojnë zhurmës andaj janë eternale. Njeriu është vdekatar kurse imazhi është i pavdekshëm.
Vepra “Frozen Thoughts” është mjaft sinjifikative që ta dekodojmë konceptin e ekspozitës. Ajo paraqet format valore që në shikim të parë ta krijojnë ndjenjën e rripit të Möbius-it. Ndërkaq, Rripi i Shkambit është tjetër, sepse ai gjatë gjithë kohës mëton në formë litanie ta na paraqesë ftohësinë hiperreale. Aparatuset si vepra janë të ftohta e nganjëherë edhe mendimet tona për to. Kjo gjendje ftohtësie është në sinkron me zhurmën e brendshme të artistit, asaj zhurme që në pasiguri si te filmi i Gaspar Noé-së “Enter the Void” kur ne hyjmë në jouissance-in virtual.
Në këtë teknotopi do të ballafaqoheni me neverinë sublime të zhurmës së ftohtë që paraqitet nëpërmjet repeticionit permanent të formave gjeometrike, apratuseve dhe zhurmës së bardhë. Fundja, ekspozita që është transformuar në teknotopi nuk është përgjigje e reduktuar për pyetjet komplekse, por është pyetje komplekse për kompleksitetet. Prandaj, veprat e Shkambit e kanë një sintagmë në formë pyetjeje për ne e ajo është: Is this hyper-real?
Biografi
Shkamb Jaka (1997) ka lindur në Gjakovë. Pas mbarimit të shkollës së mesme atje, ai u zhvendos në Prishtinë për të vazhduar studimet Bachelor dhe Master, ku tani jeton dhe punon. Ai ka studiuar në fushën e Artit Figurativ – Pikturë në Universitetin e Prishtinës dhe ka diplomuar studimet Master në vitin 2023.
Përveç mbajtjes së dy ekspozitave personale, “DisDeKodim” në Menza Ramiz Sadiku, 2020 dhe “Spooky Action at a Distance” në Paper Gallery, 2021, ai ka prezantuar punën e tij në ekspozita të ndryshme kolektive, ka qenë finalist i “Artistët e së nesërmes” në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, 2020 dhe 2023, pjesëmarrës në ekspozitën “Bazuar në një ngjarje të vërtetë” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, 2021 si dhe së fundmi me prezantimin e punës në ekspozitën “SOLO” në Qendrën e Praktikës Narrative, 2023.
Interesat kryesore artistike të Jakës shkojnë nga vëzhgimi i sjelljes njerëzore, tek përvojat personale, tek teoritë dhe eksperimentet e ndryshme shkencore. Tani fokusi i tij është te fizika kuantike, metafizika dhe krijimi i vendeve utopike, bazuar në gjetjet e reja shkencore, duke i përkthyer ato në art vizual. / KultPlus.com