27 Janar, 2020 - 5:56 pm
”Nazistët nuk e mbyllën shkollën Bauhaus sepse ishte moderne apo se nuk i pëlqente produktet e saj, por sepse nuk e pranonin ekzistencën e lirë të mendjeve të pavarura”, kështu tha arkitekti Arbër Sadiki gjatë një leksioni të mbajtur në Shkodër në kuadër 100-vjetorit të Bauhaus.
Ai u ndal gjithashtu edhe te fati i arkitekturës në sistemin totalitar të Shqipërisë para viteve 1990, një fat sipas tij krejtësisht i ndryshëm me arkitekturën në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.
Leksioni i arkitektit të njohur nga Prishtina ishte pjesë e një serie aktivitetesh që e futën Shkodrën në listën e qendrave botërore të cilat shënuan 100 vjetorin e themelimit të Shkollës së famshme të artit, dizajnit dhe arkitekturës – Bauhaus.
Aktiviteti Bauhaus Shkodra, i organizuar nga Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Organizata GO2, u mbajt në shkollën e mesme jopublike Atë Pjetër Meshkalla, një kompleks ndërtesash moderne e frymëzuar nga stili i pastër dhe funksional Bauhaus.
Me këtë rast, atasheu kulturor gjerman, Enrique Guenther, shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij aktiviteti në Shkodër, ndërsa Drejtorja ekzekutive e Organizatës GO2, planifikuesja urbane Eltjana Shkreli u shpreh optimiste për ripërtëritjen e arkitekturës shqiptare.
Të pranishmit ndoqën filmin dokumentar “Shpirti i Bauhaus: 100 vjet Bauhaus” (“Vom Bauen der Zukunft 100 Jahre Bauhaus”), prodhim i vititi 2018, me regji të Niels Bolbrinker dhe Thomas Tielsch.
Në fund, ata patën rastin të kundrojnë nga afër ekspozitën e fotografit berlinez Jean Molitor, me titull “Bau1haus – a phoho trip around the world”, në të cilën u paraqitën fotografi nga disa prej vepave më domethënëse të arkitekturës së frymëzuar nga Bauhaus në Gjermani, Europë dhe në mbarë botën.
Bauhaus ishte një shkollë idesh dhe një fushë për eksperimentimin në artet e lira dhe artet e aplikuara, dizajn, arkitekturë dhe metoda edukimi. Kjo shkollë arti u hap nga Walter Gropius nga 1919 deri më 1933 dhe kombinoi artizanatin me artet e bukura./syri.net/ KultPlus.com