4 Shkurt, 2024 - 11:30 pm
Festivali ‘Shliroj cicat’ është rikthyer sivjet fuqishëm për të shënuar edicionin e tretë me radhë. Me një synim unik më vete, festivali është tashmë i njohur për vetëdijësimin e grave për rrezikun nga kanceri i gjirit. ‘Shliroj cicat’ ia mëson grave se si të bëhet vetëtestimi, avokon për kushte më të mira në institucione publike të shëndetësisë për trajtim të kancerit të gjirit si dhe gjëja më e rëndësishmja qëndron tek tentitmi për të rritur fonde në ndihmë të grave me kancer gjiri, shkruan KultPlus.
Me këtë rast, mbrëmë është mbajtur edhe aktiviteti që po e shënon edicionin e tretë, si: Ankandi Bamirës i Artit. Në këtë ankand u paraqitën mbi 10 piktura të pikturuara nga artiste gra me qëllim të kontribuimit në kauzën e kancerit të gjirit, siç janë: Zake Prelvukaj, Shqipe Kamberi, Brikena Gashi, Artina Gollopeni, Edona Blakaj, Jalldeze Mustafa, Elona Ndrecaj, Leonita Fazliu, Vlora Kosumi, Dita Ethemi, Mjellma Goranci Firzi, Orange Girl, Fitore Alisdottir Berisha, Zana Ramadani dhe Luljeta Rama Mucaj.
Para se ora të shënonte afër 19:30, ishin meloditë e dy talenteve si: Zanë Abazi (flautiste) dhe Fjolla Asllanaj (violonçeliste), ato që mbushën hapësirën në Menza Ramiz Sadiku në Prishtinë. Tingujt nga dy instrumentet, dukej se po vallëzonin njëkohësisht me ngjyrat bukur të plasaritura në gjithsej pesëmbëdhjetë pikturat e ekspozuara përbrenda vendit. Nëpërmjet dimensioneve të ndryshme, teknikave diversive dhe mesazhit që fshihej brenda tyre, pikturat dukej se ngjallën një atmosferë të hareshme.
Organizata “CICAT” synon që jo vetëm të informojë dhe avokojë por edhe vazhdimisht thyen stereotipet. Thyerja e stigmës, tabuve dhe “rrahja e Çekanit” janë pjesë e rebelimit kundër shtysave patriarkale. Andaj, edhe çekani qe vula që vendosi për shitjen e pikturave “Turma”, “Më mbaj”, “Orange line”, “Pa titull”, “N’lule”, “When I am supposed to blossom”, “Bukuri e heshtur”, “Vetë jeta”, “Caring is Loving”, “Grua e fortë”, “Stones”, “Meditimi”, “Structura”, “Ngjyrat e jetës”, “Shtëpitë pa ngjyrë”, të pikturuara nga artiste gra, në kuadër të bamirësisë.
Ankandi bamirës i artit u drejtua nga Kaltrina Ajeti, duke treguar kështu se gratë jo vetëm krijojnë art por përdorin edhe çekanin me finesë.
“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij eventi, jo vetëm për shkak të kauzës, por edhe për shkak se artistet janë ato që kanë kontribuar në këtë aktivitet. Meqenëse ky është ankandi i parë i këtij formati, shpresoj shumë që do të krijohet një punë e re ku arti do të vlerësohet më shumë sepse përmes artit synohet të ndihmohen edhe njerëzit e tjerë që kanë nevojë”, thotë ajo.
Nga OJQ “Cicat”, Ermira Murati (Orange Girl), ka thënë se ankandet si këto dhurojë momente të veçanta.
“Jam shumë e lumtur që ju shoh këtu sonte dhe që jeni mbledhur së bashku. Qëllimi i parë është mbështetja e atyre grave të cilat janë duke u përballur me kancerin e gjirit. Ne e dimë se si mund të ndërrohet jeta përbrenda minutës, në 360 shkallë dhe andaj duam që t’i mbështesim ato gra. Ne po ashtu, duam t’i mbështesim edhe artistet gra të cilat kanë shumë vlerë për ne. Ankandet si këto japin momente të veçanta, andaj sonte keni mundësi për të blerë piktura dhe të kontribuoni. Në këtë mënyrë, po e shënojmë Ditën Botërore të Kancerit, ku le të jetë kjo një vulë për secilin vit. Me mbështetjen tuaj, ne po ndërgjegjësojmë audiencën për këtë kauzë. Andaj, ju falënderoj për mobilizimin e çmuar dhe zemërgjerë. Ju ftoj ta shijoni këtë natë”, ka thënë Murati.
Ajo tutje falënderoi të gjitha artistet për punën e tyre të palodhshme në kuadër të këtij eventi.
Po ashtu, anëtarja e bordit, Arbela Statovci, është shprehur se mbështetja e gjithsecilit, ka një vlerë për ato gra që kanë kancerin e gjirit.
“Faleminderit që po na mbështetni në këtë kauzë. Mund ta them me 100% sinqeritet, se si një e mbijetuar e kancerit të gjirit, e di shumë mirë se çfarë do të thotë ndihma dhe mbështjetja e gjithsecilit. Unë kam përjetuar një mbështetje nga persona të panjohur, dhe ajo mbështetje për mua nuk ka kufij, andaj kam vendosë që të vij dhe të kontribuoj edhe unë sonte këtu”, ka thënë Statovci.
Tutje, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka falënderuar organizatoret e këtij ankandi për punën e tyre të vlefshme.
“Është një nder dhe kënaqësi që sonte të jem këtu. Një falënderim i shkon organizatoreve për këtë ngjarje të mrekullueshme dhe një falënderim ndaj artisteve që kanë kontribuar me veprat e tyre artistike, vepra që janë krijuar në vitin e kaluar, posaçërisht për këtë mbrëmje. Organizmi i këtij eventi ka një kontribut të veçantë në shoqërinë tonë, tregon që kushtet kur ne duhet të bëhemi bashkë, bëhemi bashkë. Këto sëmundje shpesh kanë qenë edhe tabu dhe nuk janë përmendur shumë. Kanceri i gjirit është problem edhe i meshkujve dhe ky problem që e ka kapluar botën, mundet me u luftu. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, ne kemi kontribuar në Mamografi dhe në shumë aspekte tjera, që t’ua mësojmë njerëzve problemet e tilla. Ne jemi kujdesur që në të gjitha qendrat, të mos ketë as rend për të pritur për këto testime. Andaj, ju lutem që t’i shfrytëzoni këto opsione.”
Sipas tij, pikturat ishin tejet fenomenale dhe janë pikërisht këto vepra që mundësojnë investim në art për një kauzë kaq të bukur. “Pikturat do të bëhen pjesë e shtëpive të ndryshme të personave të ndryshëm anembanë botës, që na kanë nderuar sonte”, përfundon Rama.
Pas fjalimeve të parapara për këtë mbrëmje, erdhi koha që ankandi të fillojë dhe të zë vëmendjen e të gjithë të pranishmëve. Një nga një, veprat filluan të shiten herë me një hov të madh, e herë me një hov pak më të lëshueshëm, mirëpo emocionet për të pasur në shtëpi, këto vepra, ishin të mëdha.
Mesazhi që u përçua kishte fokusin mbi kontribuimin për një qëllim, për fuqizim, për shpirtrat guximtar që luftojnë kundër kancerit të gjirit dhe shpirtrat që zënë hapësirën e merituar në krijimin e një bote shumëngjyrëshe, sepse së bashku, thyjemë pritshmëritë dhe përqafojmë ndryshimin. / KultPlus.com