10 Tetor, 2023 - 11:42 am
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallë finalistët e çmimit Artistët e së nesërmes 2023 me deklaratën e jurisë, e cila u takua më 6 tetor 2023.
Juria ka lëshuar deklaratën e mëposhtme:
Ne anëtarët e jurisë së çmimit Artistët e së nesërmes 2023 u takuam për
të shqyrtuar 11 aplikimet nga artistët që aplikuan në thirrjen e hapur
të këtij viti dhe plotësuan kriteret e çmimit. Pas diskutimeve të gjera,
juria ka zgjedhur njëzëri tre finalistë bazuar në propozimet e tyre
premtuese dhe në fuqinë e punës së tyre ekzistuese.
Kemi kënaqësinë të njoftojmë se tre finalistët e çmimit Artistët e së
nesërmes 2023 janë: Renea Begolli, Shkamb Jaka dhe Arbesa Musa.
Vepra e Renea Begollit e shtyn pikturën përtej komoditetit të pëlhurës
dhe e përdor atë për të hetuar tensionet midis botës njerëzore dhe asaj
më shumë se njerëzore, që duket se janë qendrore në praktikën e saj.
Shtresimi në veprën e saj duket se pyet, si mund të përkthehet qielli i
së ardhmes në të tashmen? Cilat janë shtresat që eksplorimi
tekniko-shkencor njerëzor përpiqet t’i shtojë botës natyrore? A janë e
ardhmja dhe territoret qiellore që mund të kontrollohen dhe përcaktohen
nga njerëzit?
Shkamb Jaka është një artist që tregon një gjuhë piktoreske të pjekur
dhe të zhvilluar, që është qartësisht e tija dhe që lundron i qetë mes
disiplinave të ndryshme artistike. Ai ka një botë referimi shumë
interesante, të ankoruar në fizikën kuantike, astrofizikën dhe
metafizikën, dhe përpiqet të sigurojë përfaqësime të qëndrueshme për
fenomenet që përshkruhen në to, duke ngritur pyetjen se çfarë është e
përfaqësueshme dhe si.
Arbesa Musa është një artiste multidisiplinare e diasporës kosovare, e
cila e përdor kujtesën e përvojës së saj në Kosovë si burim kryesor për
punën e saj. Ajo përdor materialet e përditshme në mënyra delikate që
lejojnë potencialin e tyre evokues dhe emocional të dalë përpara dhe të
marrë përsipër.
Jemi të emocionuar të shohim se çfarë do të krijojnë këta tre finalistë
për ekspozitën në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe
mezi presim të përjetojmë punën e tyre në dhjetor kur juria do të
takohet për të zgjedhur fituesin e çmimit Artistët e së nesërmes 2023.
Anëtarë të jurisë së çmimit Artistët e së nesërmes 2023 janë Julieta
Aranda, artiste, bashkë-themeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin,
Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore
“Akvarijus”, Mitrovicë e Veriut, Agrina Vllasaliu, artiste, fituese e
çmimit çmimit Artistët e së nesërmes 2022, me angazhim në Berlin dhe
Prishtinë, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me angazhim në Nju Jork
dhe Stamboll, Driton Selmani, artist, Prishtinë.
Ekspozita e Çmimit Artistët e së nesërmes 2023 me artistët e nominuar
Renea Begolli, Shkamb Jaka dhe Arbesa Musa do të hapet më 10 nëntor
2023.
Fituesi do të shpërblehet me një program dy mujor të qëndrimit artistik
në New York, SHBA, në Residency Unlimited në periudhën qershor/korrik
2024 dhe një ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2025.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon të gjithë
artistët kosovarë që aplikuan për çmimin Artistët e së nesërmes 2023 për
punën dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon Jurinë e
Çmimit Artistët e së nesërmes 2023 për punën dhe bashkëpunimin e tyre.
Çmimi Artists of Tomorrow 2023 mbështetet bujarisht nga Trust for Mutual
Understanding, Nju Jork.
Çmimi Artistët e së nesërmes 2023 përkrahet edhe nga Ministria e
Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Komuna e
Prishtinës. / KultPlus.com