12 Nëntor, 2021 - 7:07 pm
Era Berisha
Gjithsej 9 artistë vendor janë përzgjedhur për të shpalosur historitë e tyre personale të përjetuara gjatë pandemisë nëpërmjet krijimeve artistike të cilat përmes ekspozitës “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” të kuruar nga Gazmend Ejupi, erdhën në një formë kaotike e krejtësisht të veçantë, me ç’rast secila pikturë, instalacion dhe performancë shfaqi një histori, një mendim e edhe ndjenja që hynin e bridhnin nëpër shpirtrat e pranishëm të mërkurën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.
Ora shënoi 19:00 kur dyert u hapën e një numër i madh i audiencës të cilët ndaheshin në grupe, po hynin dalëngadalë brenda ku fillimisht ata patën rastin që të shohin veprën e artistëve si Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, të cilët fillin e ekspozitës kishin vendosur të shndërrojnë në një gjendje kaotike, ashtu edhe siç ishte përjetimi i pandemisë. Një atmosferë e ndezur nga dritat me ngjyrë rozë ku teknologjia kishte zënë vendin dhe hapësirën në çdo kënd e që njëkohësisht portretizonte një përdredhje të ndjenjave njerëzore që digjeshin ngadalë si një kujtim i vyshkur.
Pas kësaj copëze hyrëse të instalacionit, të pranishmit vazhduan rrugëtimin drejt një hapësire ku magjia e pikturave të artistëve si: Avdi Hajdari, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Jetullah Sylejmani, Luan Bajraktari, Renea Begolli dhe Valdrin Thaqi, mbizotëronte në secilën moment që syri i njeriut mund të kapte e të përjetonte.
Ishte radha e pikturave të titulluara: “Proof of life”, “Aidofska” dhe “Jane playing ëith the cat”, të artistit Arbnor Karaliti, të cilat jepnin iluzionin se çdo ngjyrë e errët, çdo vështrim i pranishëm dhe çdo teknikë e ngjyrosjes, po hynte brenda zemrës së njeriut e po rrëmbente vëzhgimin e saj, duke mos e lëshuar në asnjë sekondë të vetëm.
Tutje, vepra “Definition” e artistit Valdrin Thaqi, nuk la vend për përcaktim e as përkufizim të ndjenjës së papërshkrueshme që piktura përçonte. E vendosur si një rastësi e veçantë, piktura solli elegancën e vdekjes pranë natyrës të qetë e aromës të dëlirë të një gjelbërimi unik. Ndryshe nga ngjyrat e ndezura e të dukshme të natyrës që zakonisht shfaqen në piktura, ishin ngjyrat pothuajse të përafërta e të një intensiteti të njëjtë që shpalosën një qetësi të çrregulluar e krejtësisht origjinale.
Ndërkohë, instalacioni “Dëgërrgjik 18,2021” i artistit Jetullah Sylejmani dhe skulptura “Pa titull” e artistit Luan Bajraktari, ishin të vendosura në një linjë horizontale ku një mur i vetëm e i bardhë ndante veprat nga njëra tjetra. Dy veprat në veçantitë e tyre portretizuan një gjendje nëpërmjet së cilës, njeriu i pranishëm tashmë veçse ishte i familjarizuar me të e i cili në këtë rast pati rastin të ndërveprojë me veprat artistike e ti shijojë nga afër në secilin kënd.
Ndërsa, pikturat e përmasave të mëdha të artistëve si: Brilant Milazimit dhe Renea Begollit, si dhe performanca e artistit Avdi Hajdari, futi publikun në ndjenjën e habisë, ku vezullimat e syve të tyre po dalloheshin që në momentin kur ata vunë sytë mbi këto vepra. Unike në stilin e tyre, pikturat kapluan vëmendjen e atyre që adhuronin ngjyrat e ndezura e kuptimet e fshehura. Ndërsa, performanca unike e vetë artistit Hajdari, vulosi mbrëmjen me prezencën fizike të njeriut në veprën artistike, me ç’rast aroma e dheut, luleve dhe vetmia e vendosjes së veprës, përqafoi publikun në një ngrohtësi admirimi të pandierë më parë.
Ndërsa, për të treguar më shumë rreth krijimit të ekspozitës dhe përshtypjeve të tij për KultPlus foli kuratori Gazmend Ejupi.
“Ideja erdhi nga Galeria Kombëtare për të pasur një ekspozitë kolektive me artistët e Kosovës. Koncepti i ekspozitës thirret: bazuar në ngjarje të vërtetë, ku trajtohet një temë që kur filloi pandemia dhe ideja ka qenë shumë e thjesht se si kemi funksionuar. Ndërsa, instalacioni në hapësirë fillon me kaos dhe punimet brenda në hapësirë janë shumë minimale dhe realizmi i veprave të artistëve ka njëfarë peshe që shndërrohet më shumë në një mesazh”, thotë Ejupi.
Sipas tij, përzgjedhja e artistëve ka qenë shumë e vështirë sepse ka pasur shumë artistë të talentuar që zgjodhën të aplikojnë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
“Për neve ka qenë me rëndësi se si janë trajtuar shfrytëzimi i konceptit, hulumtimi, shfrytëzimi i materialeve dhe paramendimet e tyre rreth shfrytëzimit të hapësirës që ne si kuratorë të kemi qasjen e të menduarit kritik paralel me artistin”, thotë ai.
Për Ejupin, pjesëmarrja e madhe e të pranishmëve për të parë ekspozitën dhe ndjenja e ringjalljes që ai ka marrë përgjatë natës, ishte përshtypja më e madhe që ai ka ndjerë.
“Arti funksionon vetëm kur ka kaos, kjo është fuqia më e madhe”, përfundon Ejupi për KultPlus.
Kurse, artisti Arbnor Karaliti për KultPlus tregoi idenë pas veprës artistike të tij.
“Në ekspozitën që veç e kemi parë sot, morra pjesë me katër punë të mija që janë krijime gjatë periudhës së karantinës për çka edhe është krijuar ekspozita. Punët në konceptin e tyre janë disa momente të kapura gjatë kësaj periudhe të izolimit që e kemi përjetuar secili nga ne dhe janë thjesht çaste përditshmërie ku mund të shihen disa njerëz që janë në fakt shoqëri e imja në pozitat e tyre gjatë asaj periudhe që ishin të mbyllur si pasojë e karantinës”, thotë Karaliti.
Sipas tij, piktura “Jane playing ëith the cat”, ka qenë vepra e tij e preferuar për arsye se ishte e para vepër në fazën e izolimit dhe se shijimi i procesit ishte në një nivel tjetër për arsye se mbyllja totale e tij në një dhomë ku vetëm pikturimi frymonte, ishte e dëshiruar për një kohë të gjatë për tiu përkushtuar punës.
“Vështirësia më e madhe ndoshta do të ishte puna e materialit sepse kemi qenë aq të izoluar saqë nuk kemi pasur mundësi të furnizohemi me material kurse si ekspozitë nuk ka pasur ndonjë vështirësi por thjesht ka qenë njëfarë kurorëzimi i krejt kësaj pune të artistëve të Kosovës gjatë pandemisë duke iu përmbajtur temës së izolimit”, thotë ai.
Për Karalitin, emocionet e mëdha për arsye të pranisë së madhe të njerëzve, malli i thellë për diçka të tillë në Galerinë Kombëtare si dhe ekspozimi i veprave të tij, ishin në një nivel jashtëzakonisht të madh e të dëshirueshëm tash e sa kohë.
Po ashtu, artisti Shkamb Jaka për KultPlus foli rreth konceptit të veprës së tij dhe artistes Laureta Hajrullahut.
“Ideja për të bashkëpunuar ka ardhur qysh moti por tani e gjetëm mundësinë që në këtë ekspozitë të aplikojmë së bashku. Idenë e kemi filluar për të sjell diçka organike dhe njëfarë estetike të programit ‘TikTok’ pasi që ka qenë influencë e madhe gjatë pandemisë. Disa drita dhe lule ishin si diçka organike që na kanë munguar gjatë kohës së pandemisë e që kanë qenë të vetmet gjëra organike që kemi mundur të përjetojmë në mbyllje e së bashku me videot tona që kanë treguar punët tona, kemi shfaqur përjetimin tonë të pandemisë”, thotë Jaka.
Sipas tij, ekspozita e tërë ka lënë përshtypjen e vetë për arsye se të gjithë artistët kanë qenë në bashkëpunim me njëri-tjetrin në mënyrë që të funksionojë tema e njëjtë, pra ajo e izolimit.
Ekspozita “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” ka ftuar artistët me mediumet e tyre të përzgjedhura të paraqesin punët e tyre të krijuara gjatë kohës së pandemisë dhe në përgjigje ndaj saj. / KultPlus.com