Shpaloset ekspozita e Shkamb Jakës, kombinim i artit dhe shkencës në një plasaritje të ngjyrave

7 Maj, 2021 - 1:11 pm

Era Berisha

Gjithsej gjashtë piktura të cilat shpalosin botën e fizikës kuantike, astrofizikës dhe metafizikës në një formë të vendeve utopike virtuale janë prezantuar sot në ekspozitën e titulluar ‘’Spooky Action at a Distance’’, në Paper Gallery, shkruan KultPlus.

Këto gjashtë piktura gjetën ekzistencën e tyre në formën e skicave dixhitale të frymëzuara nga idetë e Niels Bohr, Einstein, Michio Kaku, Tyson ku së bashku me eksperimente dhe teori të ndryshme si: “double slit experiment”, “casimir effect”, “theory of relativity”, “string theory”, u gjallëruan në formën e pikturave reale të cilat ishin vendosur brenda katër mureve.

Vizitorë të shumtë patën rastin të shohin këto piktura që portretizojnë punën e artistit Shkamb Jaka, për të cilin kthimi i gjeometrisë Euklidiane në piktura si pasqyrim i një bote 3D që mund të përjetohet vetëm në një mënyrë 4D është qasja kryesore e tij.

Shprehja e botëkuptimit të artistëve që shpeshherë ndoshta edhe nuk e gjejnë shpjegimin specifik të mënyrës së të shprehurit përmes artit e ku këtë herë ka ndodhur po njëlloj me Jaken, i cili ka përplasur këto piktura që ndoshta për shumë kë mund të duken të pakuptimta por për shumë të tjerë ato depërtojnë në kompleksitetin e mendimeve dhe ideve dhe kështu zhvillojnë një qasje artistike të veçantë të perceptimit.

Në mesin e gjashtë pikturave, ajo e cila dallohej nga të tjerat ishte piktura e cila sipër saj e kishte të vendosur një video-instilacion të po të njëjtit imazh por aty është shfaqur skica dixhitale e artistit që dukej se i është bashkangjitur pikturës në një ngjyrim të vetëm identik. Këtu lehtësisht dëshmohet dhe dallohet talenti dhe puna e vërtetë e një artisti.

Ndërsa për të folur më shumë rreth idesë për këtë ekspozitë, e pranishme ishte edhe koordinatorja nga Paper Gallery, Rina Statovci.

“Koncepti i Paper Gallery është dhurimi i një platforme për artistët e rinj si Shkambi dhe ne gjithmonë mundohemi që galerinë tonë ta dhurojmë si një hapësirë ku artistët e rinj shqiptarë dhe ndërkombëtarë të vinë ta shfrytëzojnë dhe realizojnë ekspozita personale ose projekte tjera si instalacione, video-instalacione, performanca dhe çka do që ka të bëjë me art”, tha ajo.

Sipas saj, bashkëpunimi me Shkambin është menduar qysh nga viti 2020 ku është vendosur që ekspozita të gjejë vend në muajin maj. Por, që në fakt ideja origjinale ka qenë ofrimi i një pjese tjetër të Paper Gallery vetëm për një punë të tij por pas disa bisedimeve dhe pas përfundimit të konceptit që Shkambi ka pasur për këtë ekspozitë është vendosur që të ofrohet e gjithë hapësira e Paper Gallery që ai të realizojë një ekspozitë personale.

“Artistët e rinj që shumë shpesh nuk zhvillohen sepse Kosova si një shtet i vogël nuk është shumë i pasur dhe nuk ka kushte të mjaftueshme që ata të kenë një hapësirë. Prandaj, ata nuk duhet të ndalen sepse ka vende ekspozuese në Kosovë ku ofrohen këto mundësi artistëve të rinj që të shfaqin punën e tyre”, përfundon ajo.

Ekspozita e hapur për publikun erdhi në një formë mjaft të bukur ku në mesin e ngjyrave, dritat po vinin në pah ende më shumë detajet e veçanta të këtyre pikturave të cilat kapnin syrin e çdo kujt që afrohej për ti parë dhe analizuar thellësisht ato.

Kurse për të folur më shumë rreth procesit të pikturimit të një pune një-vjeçare, për KultPlus foli vetë artisti Shkamb Jaka.

“Ekspozita është frymëzuar nga një thënie e Ajnshtajnit ku ai është frikësuar nga një eksperiment, një eksperiment ky që në njëfarë forme i ka thyer të gjitha ligjet e natyrës dhe atë se çfarë ai ka thënë deri atëherë. Saktësisht ka të bëjë me dritën që ekziston si valë edhe si grimcë por që Bori e ka kundërshtuar duke thënë se drita është grimcë vetëm kur observohet që do të thotë se drita ka një koishencë të veten dhe tani kur ajo observohet, kthehet në grimcë”, shprehet Jaka.

Sipas tij, kur drita ka koishencë ajo mundet të telekomunikojë që do të thotë se është më e shpejt sesa shpejtësia e dritës dhe ky konstatim i ka thyer ligjet e natyrës, me ç’rast është quajtur Spooky Action at a Distance dhe njëkohësisht erdhi si emër i kësaj ekspozite.

Për Jaken, procesi i pikturimit ka qenë pak i vështirë sepse është dashur të arrihet në një përfundim për të treguar botëkuptimin e tij dhe shpjeguar atë në mënyrën më të mirë, por që me mbështetjen e profesoreshës së tij Zake Prelvukaj, e cila ka qenë përkrahësja më e madhe, kjo ekspozitë erdhi deri në prezantimin e saj.

“Unë do e veçoja pikturën e parë sepse ka nisur një stil të ri tek unë gjatë pandemisë dhe që tani ajo mund të shihet në dy forma, në dixhitale dhe fizike. Prandaj, pavarësisht sfidave prapa skenave, kjo ekspozitë është shfaqur ashtu siç e kam imagjinuar dhe dëshiruar”, përfundon Jaka për KultPlus. / KultPlus.com

Të ngjajshme