“Shpirti Dervish”, aty ku artisti Fahredin Spahija “shkrep”dhe krijon magjinë e fotografisë sufiste

26 Nëntor, 2024 - 8:57 pm

Fjalë e mbajtur me rastin e hapjes së ekspozitës “Shpirti Dervish” të artistit Fahredin Spahija, në mjediset e Bibliotekës “Marin Barleti”-Shkodër, me 18 nëntor 2024

Shkruan: Xhahid Bushati

Mirë se erdhe në Shkodër, i nderuari Fahredin Spahija, Mjeshtër dhe Artist i Fotografisë artistike, ndonëse ke ardhur shumë kohë më parë. Lidhja me këtë qytet mikpritës dhe kulturor, të dha motiv, që kësaj here të vish me një ekspozitë fotografike të titulluar “Shpirti – Dervish”, ku i qaseni një realiteti që nuk është i njohur dhe aq, që, siç thotë poeti Fahredin Shehu, në parathënien e katalogut të Ekspozitës: “Sufizmi si fenomen i takon subkulturës shqiptare në shekuj, i cili asnjëherë nuk ka prozelituar për ta përhapur në masë, por ka qenë i rezervuar për një rreth të caktuar shoqëror. [… …] Në esencë, Sufizmi ende mbetet mister, pavarësisht se janë bërë dokumentarë (edhe foto, edhe video), ai është shkollë e psikologjisë personale [… …].”

Fotografia dhe dimensioni i saj është pjesë e shpirtit artistik të Mjeshtrit Fahredin Spahija. Kjo është e kudoshfaqshme në çdo foto. Në këtë këndvështrim, dua të bëj një qasje, dhe për këtë qasje do të më mirëkuptoni, sepse realisht unë vij nga komuniteti i shkrimtarëve. Qasja është kjo: – Para ca ditësh, për çështje të mia studimore, po shfletoja një gazetë kryesore të vitit 1957. U ndala te një shkrim, i cili fliste për ardhjen e eshtrave të patriotit Luigj Gurakuqi dhe varrosjen në qytetin e tij të lindjes. Njëri nga kumtuesit ishte i dituri Kolë Kamsi. Ai e niste fjalimin e tij kështu: “Fjala ime është e vogël para madhështisë e veprimtarisë  tënde, o Gurakuq…” Kështu po ndodh edhe me fjalën time për figurën dhe personalitetin shumështresor e hapësinor të Fahredin Spahisë. Është një Artist, që në rrugën e tij misionare ka lëvruar me sukses disa gjini e zhanre piktorike, me arsimim që do ia kishte zili gjithësekush, po edhe me një kulturë gjithashtu. Shenjat e artit të tij në vite e dekada (e kështu do të jenë në të ardhmen) janë të atilla, se në radhë të parë i përkasin historisë, mjediseve që i njeh aq mirë, po ashtu dhe botës lirike… etj.; mbartin vlera dhe mesazhe por të përcjella si vlera kujtesore e bashkëkohore, plot jetë e plot botë.

Duke “lexuar” çdo foto, që të ngjallin kuriozitet dhe mbresëlënie, po ndalem tek disa tipare të autorit, që mendoj se shfaqen dukshëm në këtë Ekspozitë.

E para, nuk është kollaj që një botë e panjohur, ku mbretëron mistikja, të bëhet e njohur. E, autori me syrin e tij mjeshtëror, atë realitet pak të largët, na e ofron me dashuri. Kjo na bën të mendojmë dhe është realitet, fotografimi me të gjitha këndet e shikimit, na sjellë dukurinë e njohjes së kësaj problematike “të panjohur” plotësisht. Kjo është arsyeja që një foto është më shumë se një foto. Një foto “flet” dhe kjo ” e folur” përcillet si mision tek fotot-motra, të çilat ruajnë sa të përbashkëtën aq dhe individualen. Fotot “flasin” për një botë personazhesh (të njohur e të panjohur), realë dhe mistikë, ku paqja shpirtërore ka një dimension të tillë, sa vetëm aparati i Mjeshtrit e di dhe e shpërfaq madhërisht e bindshëm. Kjo është arsyeja që “Shpirti – Dervish” peshon rëndë artistikisht. Këto arritje çilësore pasqyrimi janë rrjedhojë e udhëtimeve të Artistit Spahija te Teqja e Sheh Hyseinit (Tarikati Rufai), tek Teqja e Sheh Eminit (Tarikati Saadi), tek Teqja e Sheh Ilazit, tek Dervishët rrotullues (Tarikati Mevlevi), tek Teqja e Sheh Ademit… etj.

E dyta, Autori për ta bërë më bindshëm krijimin (foton) e tij artistik portretin e personazhit (individ apo end bllok) kujdesshëm e vë në plan të parë. Konceptuar e strukturuar përmes kontrasteve bardh e zi. Plani i parë është më bisedor me dashamirësitë e fotografisë. Vështrimet dhe komunikimet janë të afërta. Gjithashtu, tonaliteti i së bardhës në raport me sfondin “puthet” e harmonizohet artistikisht, edhe pse  foto-ja dhe skena e saj është lirike, epike, dramatike, paqësore. Në të gjitha këto “oaze” gjinish apo zhanresh, në këto foto shëtit shpirtërorja, ku shndrit sufizmi që pasuron shpirtin e botën e personazheve. Dhe këto personazhe përfaqësojnë mosha të thyera, më të reja, më të vogla. Psikologjia e përftuar e personazhit, mënyra e shprehjes, detaji që vazhdimisht kërkohet nga autori janë vlera që plotësojnë “pasaportën” e Dervishit (dervishëve).

E treta, figurativja te sytë, çfarë mbartin e çfarë thonë ata sy..? Po t’i shikoni me kujdes fotot: personazhet paraqiten: duke buzëqeshur, humbur në kujtime, në meditime, në heshtje, në kundrime, në trishtime, në dhimbje, … etj. Të gjitha këto dukuri që përmenda jetojnë tek sytë dhe sytë shprehin botë. Janë sy që flasin, janë sy shpirti… Dhe t’u sillemi shkrepjeve të aparatit të Artistit, fiksohen: çaste të ndryshme pozicionesh, skena, bashkëbisedime, përjetime, filozofi shprehësore etj. , të cilat së bashku formojnë një emblemë, ku përmes momentit kulmor të ndriçimit që “rreh” në sfondin e zi, ashtu ëmbël e ëmbël peshon tek themelorja – te sufizmi i personazhit, i cili prehet në paqen e ëndërruar, paqe që e ka pushtuar totalisht. Sepse Artisti Spahija me pasion e talent të pashoq hulumton dhe zbulon jo vetëm motivin që fotografon, por edhe formën që e zbulon me thyerje artistike të motivit natyral.

Në mbyllje të fjalës sime dua të përmend edhe dy vlerësime për Mjeshtrin e Fotografisë Fahredin Spahija. – Akademiku Rexhep Ferri, piktor; ka thënë: “Fotografinë bardh e zi e kemi harruar apo do ta harrojmë. Për këtë poetikë edhe sot po kujdeset Fahredin Spahija. [… …] Fotografitë bardh e zi janë shumë më dramatike, ekspresive dhe më të thella”. – Ndërsa vlerësimi i dytë vjen nga kritiku i fotografisë artistike, Qerim Vrioni, i çili shprehet: “Mbetja në kujtesë për një farë kohe e shumicës së portreteve të ekspozitës flet, përpos vlerave artistike që mbartin, edhe për dashurinë e madhe që ka për njeriun në përgjithësi, autori Spahija. [… …] Pa mëdyshje Fahredin Spahija zë një vend dinjitoz ndër fotoportretistët shqiptarë të shekullit XX dhe fillimshekullit XXI.”

Mjeshtër Spahija, paç jetë të gjatë, e suksese të përhershme në misionin tënd të fotografisë!/ KultPlus.com

Të ngjajshme