Shqipe Kamberi në Shqip Ville të Brukselit hap ekspozitën personale me portrete të gruas shqiptare  

18 Shkurt, 2025 - 12:13 pm

Artistja nga Kosova, Shqipe Kamberi edhe po të insistonte nuk do të arrinte të realizonte një koincidencë kaq të bukur për 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Një galeri arti në një nga rrugët më të frekuentuara të Brukselit ka emrin Shqip, po sikurse të artistes Shqipe Kamberi, dhe po në këtë galeri, artistja nga Kosova është prezantuar me 15 punime në ekspozitën e saj personale e që hapjen solemne e ka pas më 17 shkurt në Shqip Ville.

Për Shqipe Kamberin kjo paraqitje ka një rëndësi shumë të veçantë, duke mos përjashtuar edhe koincidencën e bukur të emrit. Ajo ka paraqitë portretet e grave nën rrumbullakimin e titullit të ekspozitës “Past and Present”, qasje artistike që paraqet pozitën e gruas në familje e shoqëri në periudha të ndryshme.

Portretizimi i gruas shqiptare në mënyrën artistike të Shqipe Kamberit ka marr vëmendje shumë shpesh nga galeri të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, dhe po këto portrete mbajnë edhe vulën e skenografisë së edicionit të parë të Festivalit të RTK-së, ku skena kryesore e atij edicioni ka pas po portretin e gruas shqiptare të realizuar nga Shqipe Kamberi.

Ndërkohë, ekspozita “Past and Present” që është hapë në Bruksel më 1 shkurt, dhe hapjen solemne e ka pas më 17 shkurt do të rri e hapur deri në fund të këtij muaji.

Ekspozita është organizuar nga MaisonCulturellebeal me udhëheqje të Ledja Canaj, kurse kurator i ekspozitës është Albert Kolgeci./ KultPlus.com

Të ngjajshme