16 Maj, 2019 - 3:30 pm
Janë mbi 780 fotografi të digjitalizuara të arkivit personal të fotografëve italianë Pietro dhe Larissa Quaroni të Shqipërisë në vitet 1928-1931, që do të prezantohen për herë të parë në Tiranë në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), që zë vend në ambientet e Kryeministrisë së Shqipërisë.
Ekspozita e titulluar “Arkivi Fotografik i Pietro dhe Larissa Quaroni ‘Shqipëria 1928 -1931’” do të hapet të premten e kësaj jave nga Ambasada Italiane në Shqipëri dhe Instituti Italian i Kulturës.
Fotografitë janë realizuar nga vëllezërit Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në Ambasadën Italiane në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.
“Të pabotuara më parë, 86 fotografitë i përkasin periudhës 1928-1931, shoqëruar nga dy dokumentarë të periudhës së asaj kohe”, thuhet në paralajmërimin e kësaj ekspozite. I çmueshëm është i gjithë materiali arkivor që tashmë është bërë pronë edhe e shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, publiku do të shohë një Shqipëri “të panjohur”.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij arkivi familjar, Quaroni ia ka dhuruar shtetit shqiptar, në formë digjitale, të gjithë arkivin e familjes së saj, me 780 fotografi”, shkruhet në paralajmërim.
Sipas organizatorëve të ekspozitës të gjitha fotot e digjitalizuara mund të shihen sipas një renditjeje kronologjike në formë projeksioni filmik, po në këtë ekspozitë.
“Është dëshira e familjes Quaroni, që gjithë Arkiva Fotografike Quaroni, Albania 1928–1931 të jetë e përdorshme për të gjithë të interesuarit për historinë e Shqipërisë, si nga historianët, studiuesit, diplomatët, gazetarët, ashtu dhe studentët shqiptarë e të huaj”, shkruhet në paralajmërim.
Vizitorët do të zbulojnë ngjarje, njerëz, jetën e përditshme, peizazhet dhe traditat e Shqipërisë, ashtu si janë vëzhguar dhe përjetuar nga Pietro dhe Larissa Quaroni.
Ekspozita përcjell një kontekst me interes të madh historik dhe social: imazhe befasuese dhe origjinale, një përshkrim i rrallë dhe unik, veçanërisht i figurave politike dhe i personazheve që kanë dominuar skenën shqiptare të viteve ’20 dhe ’30.
Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaronit, Cristina Quaroni, e cila, nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj vjen në Shqipëri si bashkëshortja e ambasadorit të Spanjës. Vizitorët do të kenë mundësi të rrugëtojnë nëpër këto imazhe deri në fund të muajit që vjen.