Shqipëria më 11 maj ekspozon në Bienalen e Venecias

20 Mars, 2019 - 6:40 pm

“Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”. Ky është titulli i veprës së artistit Driant Zeneli, i cili prezanton Shqipërinë këtë vit në Bienalen e Venecias.

Më 11 maj deri më 24 nëntor 2019 vepra e Zenelit do të ekspozohet në “Arsenale Artiglierie”, nën kurimin e Alicia Knock. Në përshkrimin që i bëhet veprës së artistit shqiptar në faqen zyrtare të Bienales, thuhet se, “vepra është një instalim skulpturor i cili zgjerohet si një projekt multidisiplinar duke lënë idenë se “nën një sipërfaqeje ka një sipërfaqeje tjetër”. Zeneli nisi të punonte me këtë ide më 2015-tën në ish Metalurgjikun, në qytetin e Elbasanit.

Idea për këtë vepër ka lindur nga leximi i romanit të parë fantastiko-shkencor në Shqipëri, “Drejt Epsilonit të Eridanit”, i botuar në vitin 1983 (ribotuar i plotë në vitin 2018) nga Arion Hysenbegas.

Vepra e Driant Zenelit sfidon limitet intelektuale dhe fizike, duke vendosur në skenë dhe duke performuar situata sureale dhe ironike, ndonjëherë dhe absurde. Shpesh puna e Zenelit identifikohet me ëndrrat, luan me arsyen, ndërkohë që ndërvepron me publikun. Në qendër të veprimit performativ, si dhe në punët e tjera të artistit ku përdoret gjuha e narrativës filmike, ndodhet ripërkufizimi i dështimit – si çasti themelor për të krijuar një alternativë të re. Në vitin 2008 Zeneli fitoi çmimin Ndërkombëtar “Onufri” në Tiranë dhe në vitin 2009 çmimin “The Young European Artist Award”, Trieste Contemporanea. Në vitin 2017 ai fitoi çmimin “MOROSO”, Itali. Driant Zeneli ishte drejtor artistik i “Mediterranea 18”, “Bienalja e Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mesdheu”, që u zhvillua për herë të parë në vitin 2017 midis Tiranës dhe Durrësit. Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel në Tiranë.

Disa nga ekspozitat e tij janë zhvilluar në: Passerelle, Centre d’Art Contemporain, Brest, (2018); Mostyn Gallery, Wales, UK (2017); MuCEM, Marseille, (2016); Centre Pompidou, Paris (2016); GAM, Museum of Modern and Contemporary Art Turin (2013); ZKM, Karlsruhe (2012); MUSAC, Castiglia León. Spain,(2012); Prague Biennale 5 (2011). Ndërsa kuratoria ,Alicia Knock punon në Qendrën “Pompidou” në Departamentin e Artit Bashkëkohor, në Paris, të krijuar dhe drejtuar nga Christine Macel. Alicia Knock po punon për zgjerimin e këtij muzeu drejt Afrikës dhe Evropës Qendrore, nëpërmjet blerjeve dhe ekspozitave.

Përgjegjëse për ekspozitat e fundit të çmimit “Duchamp” (Kader Attia, Yto Barrada, Ulla von Brandenburg dhe Barthélémy Toguo, 2016, “The most foreign country”, gratë artiste nga çmimi “Duchamp”, Fondacioni Fernet Branca, 2017, Maja Bajevic, Joana Hadjithomas dhe Khalil Joreige, Charlotte Moth, Vittorio Santoro, 2017), ajo është gjithashtu e përfshirë në projektin e ri të Qendrës “Pompidou”, Galerie 0, me qëllim kthimin e tij në laborator për praktika të reja.

Për ceremoninë e hapjes së kësaj hapësire të re (Museum On/Off, 2016) ajo ftoi artistë dhe kuratorë të administronin hapësirën për të promovuar muzeun si një përvojë më vete. Instalimet nga Otobong Nkanga, Meschac Gaba, Ahmet Ogut dhe Arseny Zhilaev, ofruan sfondin për trillime në evolucion të vazhdueshëm.

Muzeu u kthye një vend jo për ekspozim, por për prodhim, riprodhim dhe interpretim. Në praktikën e saj kuratoriale, Alicia Knock përpiqet të eksplorojë formatin e ri të ekspozitës, duke vënë në dyshim vetë muzeun përmes projekteve multidisiplinare, siç është retrospektiva e kuruar në vitin 2017 për regjisorin Harmonia Korine/ Shqip/ KultPlus.com

Të ngjajshme