Si e shpëtoi pikturën e Maks Velos nga djegia Ismail Kadare

31 Korrik, 2018 - 9:00 am

Në parathënien e librit “Jetë paralele”,libri me dosjen sekrete të përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit të Maks Velos (UET PRESS), Alda Bardhyli tregon për historinë e një pikture të Maks Velos që mundi t’i shpëtojë sekuestrimit apo djegies, pasi u ruajt me kujdes nga familja Kadare.

Kadarenjtë e fshehën në dhomën e gjumit. Ky është një rast unikal në historinë e vendeve komuniste kur një shkrimtar ndihmon një artist duke i fshehur pikturat. Dihet miqësia e hershme që Kadare ka pasur me Velon.

Krijimtaria e Velos piktor ndahet në dy periudha: atë nga fillimet deri në vitet 1978 (kur i sekuestrohen dhe digjen nga policia me vendim gjykate 249 vepra të ndryshme arti) dhe periudhën pas viteve ’90, që është më e pasura për sa i përket krijimtarisë jo vetëm në pikturë, por edhe letërsi, studime e skulptura.

Periudha e parë fatkeqësisht nuk njihet, për shkak të eliminimit fizik të veprave të cilësuara nga pushteti komunist i kohës si “dekadente”, “me ndikime të artit perëndimor”, vepra të cilat u bënë dhe aktakuza kryesore e dënimit të Velos me 10 vjet heqje lirie.

Në këtë libër ne kemi bashkangjitur disa nga fotot e veprave të fotografuara në hetuesi, më pas të djegura në kaldajën e Gjykatës së Tiranës nga Ruko Sako, me urdhër të kryetarit të gjykatës, Viktor Konomi.

Nga ky koleksion kanë shpëtuar disa vepra që artisti ia pat dhuruar mikes së tij franceze, Odile Daniel dhe një vepër e ruajtur në familjen Kadare. Bëhet fjalë për veprën “Vallja labe” që çifti Kadare e vendosi në dhomën e gjumit për ta ruajtur për gati 20 vjet.

Vetë Kadare e shihte këtë vepër si të bukur e dramatike, duke parë aty reflektimin e një bukurie që arrinte të sfidonte dhe frikën e një bastisjeje që mund t’ia behte nga momenti në moment. Ky është një rast unikal në historinë e vendeve ish-komuniste, kur një shkrimtar mbron një artist duke i strehuar veprën në shtëpinë e tij.

“Ndonjëherë mendoja në duhet t’ia ndryshoja emrin, pasi do të ishte më e lehtë për ta ruajtur dhe emri i tij Velo mezi dallohej”, do të kujtonte Kadare kohë më parë teksa e pyeta për këtë histori”, shkruan Bardhyli, shkruan gazeta-shqip.com /KultPlus.com

Të ngjajshme