Simon Rrota, piktori i nostalgjisë së një realiteti të humbur

19 Nëntor, 2019 - 10:30 am

Nga: Suzana Varvarica Kuka

Para disa kohe u publikuan dorëshkrimet e piktorit Simon Rrota dhe përmes përmbajtjes së tyre u njohëm me një seri ngjarjesh, nga ku kaloi jeta e piktorit të rëndësishëm të Shkodrës dhe jo vetëm.

Në ditët e këtij nëntori plot debate rreth historinë, të ecejakeve të diplomatëve për të përmirësuar jetën politike në Shqipëri e në Ballkan, arriti të dilte në publik edhe libri monografiko-artistik, i cili i kushtohet Simon Rrotës. Në mënyrë shkencore, libri është i ndërtuar nën parimin e respektimit të studimit sa mbi faktin jetik e të shkruar nga vetë artisti, aq dhe nga fakti esencial i gjendur në kërkimet e dëshmive dokumentare në letër e me kaligrafi të kohës, si dhe të imazheve të artit të tij, në pikturë dhe në vizatim.

Sjellja në publik e emrit dhe veprës së Simon Rrotës ishte një përkushtim i studimeve dhe koleksionimit shqiptar. Nëse studimet grumbullonin fakte mbi jetën e këtij artisti, si dhe vëzhgonin mbi shkaqet e lindjes dhe zhvillimeve të krijimtarisë së këtij piktori, koleksionistët, aty nga mesi i viteve ‘90, filluan të shijojnë dhe të njohin nga afër artin e tij. Një studiues, me qetësinë e gjykimit, vendos mbi vendin që zë, rolin që ka luajtur dhe risitë e sjella në historinë e art, krijimtaria e një artisti. Gjithashtu, studimet shpalosin gamën e caktuar të një artisti në gamën e madhe të prurjeve artistike të një vendi. Ndërsa koleksionistët ndihmuan me aq sa mundën në kujdesjen dhe ruajtjen e vlerave, si dhe në përqendrimin e këtyre vlerave në territorin e Shqipërisë. Dhe kjo është shumë e rëndësishme kur bisedojmë për një vend si yni, me një art laik të ri. Në librin me titull “Simon Rrota” dëshmohet se piktura, vizatimi dhe dokumentacione të kategorive të ndryshme, që lidhen me krijimtarinë artistike dhe jetën e piktorit shkodran, iu dihet vendi se ku ndodhen dhe ruhen me dashamirësi si nga koleksionet familjare Rrota dhe Shuli, koleksionistët Dashi dhe Çobo, ashtu edhe nga galeritë kombëtare e shtetërore artistike. Elementet kryesore përbërëse të librit nisin me përcaktimin e kohës dhe zhvillimeve sociale, politike dhe ekonomike të familjes Rrota dhe popullsisë shkodrane, si dhe ndikimi i tyre në formimin e identitetit jetësor dhe personalitetit artistik të Simon Rrotës. Ata ndiqen nga njohja me inteligjencën dhe territorin e populluar të Shkodrës, që e ndante dhe e ndan territorin e besimit nën dy fe kryesore: myslimanizmi dhe krishterimi.

Koha politike është një element kryesor në libër. Pushteti i transformimeve politike të fundshek. XIX deri në 1912 dhe të kalimit nga sundimi i pushtetit ushtarak dhe administrativ të Perandorisë osmane, te zhvillimet komisionare të drejtuara nga Fuqitë e Mëdha, dhe më pas nën mbretërimit e huaja dhe vendëse, si dhe nën entuziazmin e pushtetit propagandë të komunizmit, sollën modelimin e artit laik në Shqipëri dhe artistëve shqiptarë, ku nuk mund të përjashtohej zhvillimi krijues i Simon Rrotës. Roli i At Gjergj Fishtës dhe Kolë Idromenos merren në konsideratë dhe analizohet ndikimi i tyre në jetën, edukimin dhe krijimtarinë e Simon Rrotës. Në libër i jepet përgjigje e plotë arsimimit dhe edukimit artistik të Simon Rrotës në Shkodër dhe në Milano. Saktësohet koha e studimeve të tij, shkolla që kreu dhe roli i piktorit Alchide Davide Campestrini, profesori i vizatimit dhe pikturës së artistit shqiptar në Liceun Artistik dhe në Shkollën Komunale.

Campestrini, për të cilin Simon Rrota flet me respekt, pas At Fishtës dhe Kolë Idromenos, është bazamenti i një pjese të krijimtarisë dhe i modelimit konceptual të piktorit shqiptar. Familja Rrota dhe vetë Simoni nuk mund të kuptohen pa qytetin e Fierit. Marrëdhëniet, kontributi dhe përfshirja e djemve Rrota në shoqërinë, zakonet, jetën, arsimin dhe artin e qytetit zënë një vend përcaktues në libër dhe i japin atij një përmbajtje plus në formimin kulturor të të rinjve shkodranë. Fieri dhe Vëllezërit Rrota u lidhen përmes mësuesisë, përkthimeve, fotografisë, dashurisë dhe martesës. Zonjat fisnike Athina Kilica, bashkëshortja e Gjon Rrotës, milanezja dhe bashkëshortja e Simonit, Carla Carminatti, lidhën miqësi dhe ishin dy gra me portrete të qarta, të cilat besuan te dinjiteti i vëllezërve Rrota dhe i familjes së tyre. Krijimtaria 50-vjeçare dhe cilësitë e pikturës së Simon Rrotës të perceptuara në ditët tona, nga pikëvështrimet individuale dhe këndvështrimet më në gjerësi, shprehen nën ndikimin e stilit të ikonografisë perëndimore të pikturimit. Krijimtaria e tij është cekur në tërësi dhe shpalosur gjerësisht në faqet e librit, por studimet i lënë të hapura përpjekjet e mëtejshme për të zbuluar detaje të tjera, që pasurojnë botën e mendimeve mbi artin. Natyrshëm është pranuar se piktura e tij lidhet ngushtësisht me zhvillimet e fotografisë, gjë e cila u jep imazheve piktorike vlerën figurative. Por, duke e njohur më gjerësisht krijimtarinë tërësore të tij, arrin në konkluzionin se Simon Rrota, në dhjetëra piktura, e ka tejkaluar mendësinë e pikturimit fotografik dhe ka arritur të interpretojë, me elemente të artit, mbi tema dhe subjekte, ndjesi vetjake. Cilësitë e përcaktuara në pikturë lidhen gjerësisht me temat që trajtoi Simon Rrota. Pikturoi subjekte, tema dhe personazhe të besimit; pikturoi figura me kostumografi etnopopullore të qytetit të Shkodrës dhe krahinave që e rrethojnë; pikturoi portrete të prindërve e familjarëve, që pozojnë para tij; pikturoi peizazhin, rrugë dhe pamje të Shkodrës; pikturoi personalitete të muzikës botërore si një dashnor i saj; dyert e larta të shtëpive dhe hyrjet e Bexhistenit; pikturoi pazarin e zhurmshëm, liqenin dhe natyra të qeta me fruta e sende. Më kryesorja është se Simon Rrota dalloi dhe evidentoi tema të ditës, tema të veprimtarive të thjeshta njerëzore, të punës, të tregut e të gjuetisë së peshkut. Pa droje mendoj se Simon Rrota solli i pari gruan e veshur alla franga, duke e pikturuar jo në pozicion inaktiv, por në gjeste dhe psikologji aktive. Ishte i pari që e pikturoi gruan në lëvizje në rrugë e në mjedise të punëve shtëpiake. Simon Rrota ka të gjitha cilësitë e duhura të njihet si një piktor profesionist, që krijon në studion e vet, duke u hapur rrugë brezave të tjerë piktorësh ta zotëronin këtë cilësi. Këtë e dëshmojnë veprat e shumta në pikturë dhe vizatim, nxënësit dhe studioja e tij. Akti i tij krijues mbështetej në pikturimin e subjektit apo planit të parë, por i dha rëndësi planit të dytë apo sfondit, duke e prekur me penelata të shkurtra dhe delikate në të gjithë sipërfaqen. Ai realizoi pikturë në të gjitha gjinitë. Vaji dhe akuareli, lapsi dhe aerografi janë teknikat e tij të krijimit.

KUSH ËSHTË SIMON RROTA

Studimet vëzhgojnë me kujdes kujtimet e shkruara nga Simon Rrota, por respektojnë shënimet biografike të Vladimir Janit, piktor shkodran dhe bashkëkohës i artistit, që edhe pse nën kufizimet e viteve ‘60, kanë rëndësi pamasë. Ata u bënë urë lidhëse e kohës sonë me kohën e Simon Rrotës dhe Shkodrën e viteve të tij, që është një minierë e pasur e vlerave sociale, fetare, letrare, artistike, antropologjike dhe albanologjike. Simon Rrota është personalitet i rëndësishëm i artit shqiptar, gjatë gjysmës së parë të shek. XX. Jeta dhe veprat e tij të artit, të cilat janë trashëgim kulturor i historiografisë së artit shqiptar, na dëshmojnë jo thjesht ekzistencën e tij, por në thelb personaliteti i Simon Rrotës është një fenomen artistik. Simon Rrota u formua dhe u shfaq si piktor në Shkodër dhe i gjithë arti i tij i përket asaj.

Ai lindi, jetoi, krijoi dhe punoi në mjediset e punës dhe në ata intelektualë të Shkodrës, ku zbuloi kulturën feudoautentike etno-kulturore shqiptare, kulturën osmane, kulturën fetare të krishterë, kulturën perëndimore të lëvruar nga intelektualë shkodranë, të cilët studiuan jashtë Shkodrës dhe sollën cilësi të asaj kulture. Simon Rrota jetoi dhe arriti të shijojë artistikisht ndryshimin e dy kulturave, asaj shqiptare dhe asaj italiane. Gjë, e cila na trashëgohet në pamje ambicioze dhe kurioze, siç janë portretet e dy zonjave, që jetojnë në të njëjtën kohë, por në vende e kultura të ndryshme.

Ato janë pikturat “Nëna e Karlës” dhe “Nëna e piktorit”, që për cilindo studiues do të ishin kërkuese, për të zbuluar jo thjesht mjeshtërinë figurative dhe gamën piktorike të artistit, por mënyrat sociologjike të fushave të albanologjisë do t’i kthenin në shembuj, për të arritur në rezultate të mahnitshme krahasimore. Imazhi realist dhe i mrekullueshëm i disa pikturave figurative, plot dritë dhe detaje dhe i disa të tjerave me atmosferë etnografike të Simon Rrotës, të cilat në krahasim me imazhe fotografike të ruajtura në arkivin e Muzeut Kombëtar “Marubi”, kthehen në një rivlerësim figurativ për kohën tonë, duke i dhënë rëndësi rikujtimit të imazheve të një kohe në të shkuarën dhe rikthimit në imazh të një realiteti të humbur. Për shkak të zhvillimeve të drejta apo të mbrapshta, të sugjeruara në shek. XX, kjo mbetet e një rëndësie të tejkaluar. Trysni të tilla të një shekulli më parë zhvilluan imagjinatën time të ideve për ta cilësuar Simon Rrotën “Piktorin e nostalgjisë së një realiteti të humbur”. /KultPlus.com

Të ngjajshme