Simpozium Ndërkombëtar i Artit, piktorë nga e gjithë bota, në Kolonjë për të promovuar destinacionet turistike

12 Maj, 2024 - 12:40 pm

Më shumë se 20 piktorë vendas dhe të huaj janë bërë bashkë në një simpozium arti për të sjellë pranverën në Kolonjë, një nga krahinat më të njohura të vendit tonë.

Nën kujdesin e piktorit të njohur Helidon Haliti, artistët kanë qëndruar në Kolonjë për 4 ditë, duke pikturuar në vende të ndryshme, punime të cilat i kanë sjellë në ekspozitën përmbyllëse të kolonisë.

“Kemi artistë që kanë ardhur nga Peruja e largët, Kanadaja, Turqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe sigurisht artistët tanë shqiptarë të cilët në fakt këtu, sapo shënuan në njëfarë mënyre një lloj historie, sepse gjetën kiminë e njëri-tjetrit dhe jo vetëm atë koloristike, pikturistike, por dhe gjuhën e një lloj filozofie e cila në fakt bashkon brezat”, deklaroi  Haliti.

Artistët pjesëmarrës kanë vlerësuar së tepërmi peizazhet e Kolonjës, ndaj për këtë sipas tyre, ardhja e kaq shumë piktorëve të njohur është një promovim i natyrës.

“Vendin tuaj e ka bekuar Zoti, është i mrekullueshëm dhe këto takime që bëjmë ne janë të rëndësishme sepse na bëjnë të njohim një Shqipëri e cila shpesh na ikën nga e përditshmja, e përditshmja ka ngarkesat e veta”, shprehet Fatmir Juka, piktor.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri, vend fantastik, po kënaqem shumë këtu. Njoha shumë artistë të mirë dhe të talentuar, mbi të gjitha bashkëpunues. Këtu u tërhoqa nga fusha e Kolonjës dhe po e shijoj në mënyrën time”, shprehet Jorge Corpuna, piktor.

Grupi i piktorëve të huaj dhe shqiptar pjesë e shoqatës ndërkombëtare të akurelistëve nën udhëheqjen e piktorit Helidon Haliti kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh gjatë muajit maj duke shëtitur në vendet më të bukura të Shqipërisë me qëllim promovimin e tyre./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme