24 Korrik, 2018 - 7:07 pm
Një numër i vogël i qytetarëve, sikundër që organizimet në Facebook premtojnë shumë, ishin të pranishëm sot para Galerisë Kombëtare të Kosovës, për të protestuar rreth asaj që po konsiderohet një debat tjetër i këtyre ditëve në Kosovë – trajtimi i lopëve si pjesë artistike në ekspozitën e fundit nga artisti shqiptar Sislej Xhafa.
‘Vuajtja nuk është ART’, ‘ Galeria e Ahrit’, ‘Kafshët nuk i durojnë zhurmat e qytetit’ ishin disa prej mbishkrimeve në pankartat të cilat i bartnin sot protestuesit në një protestë të paralajmëruar prej kohësh nga aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, shkruan KultPlus.
“Në Kosovë e dijmë mirë se qysh trajtohen kafshët, e dijmë këtë prej qenëve endacakë por edhe atyre me pronar e shoqërues. Jemi të vetëdijshëm që këtu po mbahen disa lopë dhe si organizata për të drejtat e kafshëve po e mbajmë një protestë simbolike për të reaguar ndaj artistit dhe disa artistëve tjerë të cilët e pamë se kanë reaguar shumë keq” tha në protestë Elza Ramadani, një prej aktivisteve si pjesë e organizimit të protestës.
“Ne nuk jemi kritikë të artit, nuk na intereson arti dhe as shija e Xhafës apo artistëve tjerë. Ne veç jemi të dëshpëruar me institucionet që po na marrin për qesharak” vazhdoi tutje Ramadani.
Protesta ishte paralajmëruar nga United for Animals – UFA, pasi artisti Sislej Xhafa ka marrë tetë lopë të cilat do të qëndrojnë tek Galeria Kombëtare e Kosovës, si pjesë e ekspozitës “Love you without knowing”.
Në protestë ka folur edhe Driton Gusia – aktivist, duke treguar se është absurd fakti se është harxhuar një shumë e madhe e parave për një ekspozitë të tillë, dhe se kjo nuk është hera e parë që protestohet për të drejtat e kafshëve dhe kundër keqtrajtimit të tyre.
Grupi i aktivistëve ka treguar se natën kur ndodhi koncerti i Elvana Gjatës në kryeqytet ata kanë vizituar lopët në Galeri, dhe besojnë se ato kanë qenë të terrorizuara nga zhurma dhe nga ambienti afër koncertit kur janë lëshuar fishekzjarret. / KultPlus.com