Sislej Xhafa vjen në Prishtinë me ekspozitën si nderim për rrënjët tona

6 Korrik, 2018 - 8:54 am

Arbër Selmani

Në hyrje të ekspozitës janë disa lopë, për të cilat është thyer muri i Galerisë Kombëtare të Arteve në Prishtinë. Ato kësisoj shihen, janë pjesë e oborrit por jo nga jashtë, veç nga brenda.

Lopët janë të Kosovës. Era vjen Kosovë. Sisleji është vetë kosovar, me rrënjë kosovare, me erë kosovari, me historinë e tij prej kosovari, pa marrë parasysh në çfarë vendi jeton e ku gëzon më shumë famë.

Sislej Xhafa i solli kësisoj mbrëmë në Prishtinë veprat e tij të renditura e të gatshme për audiencën e cila do të reflektojë e analizojë mbi to. Një ombrellë me rroba varur poshtë saj, një anije e realizuar me mbathje refugjatësh, zemra e madhe me tela dysheku, vepra të tjera të Sislejit kanë ardhur në një ekspozitë që potencohet gjithmonë se nuk është retrospektive por introspektive, me Sislejin si kryefjalën e krijuesin e të gjitha punëve artistike ndër vite.

“Kjo ekspozitë është një tribut për dashurinë. Ndihem tejet i nderuar që Sisleji ka ardhur me një ekspozitë në Prishtinë, nuk më besohet që po ndodhë kjo këtu. Kjo është një ekspozitë për të vlerësuar rrënjët, aty prej nga vijmë” ka thënë mes tjerash kuratori i ekspozitës, Jerome Sans në hapje të ekspozitës. Ky burrë nga viti 1999 deri në vitin 2006 ishte drejtor artistik i Palais De Tokyo në Paris, një prej hapësirave më të mira të artit bashkëkohor në Evropë dhe më gjerë.

“love you without knowing” është ekspozita e parë e Sislej Xhafës, artistit kosovar të njohur ndërkombëtarisht, në atdheun e tij. I lindur në vitin 1970, në Pejë, Xhafa ka jetuar ekzistencë nomade që prej largimit nga Kosova në vitet e para të të 1990-ave. Si një udhëtim introspektiv nëpërmes universit të tij unik, kjo retrospektivë madhore është shprehje e dashurisë së artistit ndaj atdheut – brishtësisë, fuqisë, gjallërisë dhe dhunës së tij.
Nënshkrimi i Sislejit dhe thënia “Love you without knowing” të shoqëronin të parat në katin e dytë të ekspozitës, në të njëjtin kat ku vijnë edhe punët ‘Landscape L’ e vitit 2013-të dhe ‘Rocket Ship’ e vitit 2011-të, midis punëve tjera.

Me qasje ironike dhe subversive e cila përdor mediume të ndryshme nga piktura dhe vizatimi deri tek skulptura dhe instalacioni, Xhafa me subtilitet dhe konsistencë tërheq vëmendjen për sistemet e padukshme dhe shpesh të padrejta të cilat i strukturojnë jetët tona.

‘Benvenuto’ ishte e vetmja përshëndetje e një Sisleji të brishtë në hapjen e ekspozitës, kjo për të treguar edhe njëherë sa fjalëpak është artisti kur krahasohet me punët e tij artistike.

Arta Agani, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës ka mirëpritur mbrëmë në hapje të gjithë mysafirët dhe shikuesit duke shprehur respektin e saj dhe rëndësinë për ardhjen e Sislej Xhafës në këtë formë në Kosovë, në një shpalosje disapalëshe me punët e tij para një publiku që dukshëm ka interesim për punët e tij.

Edhe Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës, ka treguar sa e lumtur është kjo Ministri ta përkrahë ardhjen e Sislej Xhafës në Kosovë me ekspozitën e tij por edhe me aktivitetet tjera që e shoqërojnë këtë ardhje.
“Jemi të nderuar ta kemi Sislejin në Kosovë me këtë ekspozitë, prandaj duhet ta shijojmë secilën pjesë të ekspozitës” tha mes tjerash Ministri Gashi.

Karriera e Sislej përfshin harkun kohor nga të 1990-at deri në të tashmen, prandaj ekspozita përbëhet prej rreth 15 veprave ikonike dhe krijimeve të reja që janë mjaftueshëm fleksibile t’iu përshtatur mundësive të rikrijimit. Ky proces i rigjallërimit të veprave bëhet në nivel lokal duke i krijuar ato atypëraty me njerëz të Kosovës dhe me artistin.

Sislejin duhet ta kujtojmë qëkur u fut në Bienalen e Venecias pa leje, për një ndërhyrje artistike me top futbolli, e deri në ardhjen e tij në këtë Bienale më pas në një përfaqësim ‘legal’ për Italinë, për Shqipërinë e për Kosovën.
“E kemi menduar së bashku një projekt me Sislejin gati tash e dy dekada, dhe së bashku kemi pasur aventura të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës. Por ai më ka bërë sot dhuratën më të bukur, duke më ftuar në ekspozitën në vendin e tij të prejardhjes. Kultura është i vetmi element që mund ta ndajmë mes njëri tjetrit kudo ku jemi, nën të njëjtin qiell” ka vazhduar kuratori Sans për ekspozitën e Sislej Xhafës e cila u hap mbrëmë me numër të madh audience, siç nuk mbahet mend në këtë Galeri.

Deri me 25 gusht në këtë Galeri mund të udhëtoni nëpër ekspozitën introspektive të Sislej Xhafës duke zbuluar botën e brendshme të artistit i cili ka më shumë se 20-të vide karrierë artistike. Xhafa përfaqëohet sot nga disa galeri; Galleria Continua, San Gimignano / Beijing / Le Moulin dhe BlainSouthern. / KultPlus.com

Të ngjajshme