7 Maj, 2020 - 3:30 pm
Nga Pjeter Logoreci
Me Destan Gashin u njohëm në një galeri arti në Vjenë, ku të dy u gjendëm për të shijuar punimet e piktorit Kosovar Gazmend Freitag. Destanin e kisha parë një herë, në verë, në koloninë e artit në Velipojë të cilën e drejton mjeshtri shkodran, skulptori Skënder Kraja. Pas njohjes e bisedave të para, ai më ftoj që të vizitoj studion e tij e cila gjindet (në Himberg) në periferi të Vjenës. Sapo ishte mbyllur një ekspozitë e tij në Vjenë të cilën nuk pata mundësi ta shoh, kështu që e prita me shumë kënaqësi ftesën pasi do të shihja veprat, të gjithë punën e tij.
Eshtë shumë interesante të kundrosh një skulptor gjatë procesit të punës në atelie, prandaj mora me vehte edhe aparatin fotografik që të mund të fiksoj mbresat e mija. Sapo hyra në atelienë e tij u përballa së pari me flamurin kombëtar që varej në krahun e një “burri – gurë” shtatëlartë që të krijonte përshtypjen se sapo kërkonte ta ngrinte diku lart… Pas pesë minutash u ndjeva lirshëm, por edhe në një ambient ” të njohur e të këndshëm” për mua, mbasi shumë objekte më “flisnin” shqip… Në vëndin ku isha ulur për të shijuar kafen që më ofroj mikpritësi, isha i rrethuar nga legjenda e figura që i njihja që fëmijë….
Gjëja që më çuditi shumë ishte se përpara gurëve – figura që po punoheshin nuk kishte asnjë model të gjallë, vizatim apo maket, pasi Destani punonte direkt me sy të lirë në gurë. Destani është ndër të paktët artista bashëkohorë që ushtrojnë në Vjenë artin e vjetër të skulpturës. Për të shuar kuriozitetin tim, ai filloj të më tregojë me pasion origjinën e karakteristikat e gurëve të tij…..ja mermeri i bardhë me vjen nga Carrara e Italisë… , por unë nuk po dëgjoja mbasi instinktivisht isha afruar pranë fëmijës – gurë që pi qumshtin e gjiut të Rozafës….Po po atje ku dhemb dhëmbi vete gjuha …..më permendi ai nga kujtimet e malli që më kishte mbërthyer….po ..Shkodra (kështu më quan ai mua – Shkodra)…ky është guri i bardhë i Carrarës që ngjanë me gurët e lagur nga qumështi i bardhë i nënës Rozafa….
Vazhduam të bisedonim rreth jetës së tij private dhe artistike. Ai më tregoj se vinte nga një familje e varfër nga Zoqishti / Rahoveci i Kosovës ku kishte mbaruar shkollën fillore duke treguar shenjat të veçanta të talentit të tij në krijimin e figurave të vogla nga balta amtare, të cilat mësuesit ja pelqenin shumë. Më vonë pas shumë vështirësish ekonomike dhe familjare kishte frekuentuar shkollën e mesme të artit figurativ në Pejë. Në shpirtin rebel të Destanit digjej dëshira për të prekur me dorë rrugët e artit. Kështu me punë këmbëngulëse arrin të fitojë konkursin e pranimit në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura në Bruksel e cila drejtohej nga Profesoresha e njohur Vanservenbergen, ku me 1978 diplomohet për pikturë. Më pas kthehet në Kosovë ku punon për dy vjet si mësues vizatimi i shkollës Zoqishtë. Gjatë kohës në fshat, i ringjallet dëshira e vjetër për skulpturën dhe vendosë të plotësojë njohuritë e tija në fakultetin e skulpturës të Akademisë së Arteve të Bukura të Brukselit që drejtohej nga Profesori Martin Guyaux, ku me 1985 merr titullin e diplomën e Skulptorit profesionist. Më pas vendoset në Vjenë, pasi në vitin 1981 kishte njohur shoqen e tij të jetës, Barbaren, vajzën nga Vjena.
Pas viteve me impenjim të plotë për formimin e tij, fillon përiudha e krijimtarisë ku pat prodhimtari të bollëshme. Në punën e tij ai frymëzohet me tema nga folklori shqiptar, por edhe bukuria e femrës prek shpirtin e tij artistik. Figurat e femrës të skalitura në gurë zënë një vënd të madh në krijimtarinë e tij. Kushdo që përballet me punën e tij, kupton botën e madhe shpirtërore të Destanit, temperamentin rebel e po ashtu shpirtin e butë të tij. Figurat si Rozafa, Dy Vajzat, Nëna me Binjaket, Aurora, Vajza Afrikane, Vajza në Plazh, Nymphe, po ti kundrosh, të mbushin me dhëmbshuri, por edhe me dashuri njërzore. Nga energjia e eleganca e fantazisë së Destanit, janë krijuar figura që “flasin” vetë si: Kërcimtarja, Balancë, Lisa, Kërmilli. Artisti Gashi në të shumtën e rasteve viziton personalisht guroret (minierat e gurit) nga ku vendosë për bllokun e gurit në masën e ngjyren e parashikuar. Nganjëherë, aty në minierë frymëzohet dhe i lindin idetë e reja për krijesa të reja artistike. Zakonisht, për punët e tija ai përdorë materiale guri nga “Sölker, Krastaler, Mermer nga Wachau, Arlburger, Gummerner, Mermer nga Südtirol, gurë Italian nga Carrara, gurë Brasilian apo të Salzburgut”. Kombinimi i ngjyrës dhe linjave (strukturës) të gurit ka ndikimin e vet në fantazinë dhe kreativitetin e Destanit. Më tërhoqi vemendjen punimi Gruaja e Hasit ku struktura dhe ngjyrat e gurit ishin të larmishme e të ngjashme me veshjen kombëtare të asaj zone, pra gjetja ishte e përsosur si vetë bukuria e gruas së gdhendur në atë mermer.
Foto 4. Gruja nga Hasi, mermer nga Bummerner, 2010
Destan Gashi ka punime të cilat gjinden në të gjithë anët e botës që nga Amerika, Italia, Austria, Gjermania, Zvicra, Spania, Lichtensteini, Belgjika, Hollandë…të cilat janë të vëndosura në sheshet kryesore të qyteteve (e që janë pronë e shtetit – Bashkisë) apo i përkasin ndonjë koleksionisti privat. Ai është nderuar për punën e krijimet e tija me shumë çmime ndërkombëtare. Qysh student ai u nderua nga Bashkia e Brukselit për punimin në gurë të Dona Barbantia, e cila është e vendosur në qëndër të qytetit.
Bustin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, një punë krejt e veçantë nga sa ne jemi mësuar ta shohim në Shqipëri, ai e ka të shitur tek një koleksionist privat në Dibër.
Gjatë karrierës së tij artistike Destani së bashku me Barbaran, gruan e tij austriake, kanë organizuar shumë ekspozita, në Austri e në shumë vende të Europës. Suksesi i tyre ka qënë i padiskutueshëm, gjë që është pasqyruar gjërësisht në shtypin e kohës.
Skulptori Destan Gashi është një figurë e njohur edhe për pushuesit dhe turistët në Itali dhe Austri, nga figurat e tij të punuara në rërë gjate bregdetit Italian, apo në figurat e krijuara në dëborë në bjeshkët e Austrisë. Në ekspozitat që hapen në Vjenë ku marrin pjesë shumë artistë nga Austria, i përherëshëm dhe i vlerësuar nder to është edhe skulptori ynë Destan Gashi. / KultPlus.com