Sonte në ARMATA, ceremonia lamtumirëse për fotografin që dokumentoi pasojat e luftës në Kosovë

19 Tetor, 2018 - 4:59 pm

Sonte në Kino ARMATA, në Prishtinë duke filluar nga ora 17:30 do të mbahet ceremonia lamtumirës për nder të fotografit holandez Willem Poelstra, i cili dokumentoi pasojat e luftës në Kosovë për pesë vite, shkruan KultPlus.

Willem Poelstra ndërroi jetë të shtunën, më 13 Tetor në orën 11:05 në shtëpinë e tij në Amsterdam pas një lufte të furishme me sarkomë.

Ai ishte 62 vjeç, ndërsa udhëtimin e tij i në karrierë e filloi në detin e hapur si zhytës, vazhdoi me sektorin e reklamave dhe përfundoi me fotografi dokumentare, ku njihej për mjeshtërinë e trajtimit të çështjeve sociale.
Projekti i tij i fundit ishte “for Hanna, Future Stories from the Past…” (shqip: për Hanna-n, Tregime të së Ardhmes nga e Kaluara…) në të cilin fotografi tregon historinë personale të prindërve të tij pas Luftës së Dytë Botërore, përmes tregimeve të pasluftës në Kosovë, duke synuar të dëshmojë se dialogu është thelbësor për të evituar përsëritjen e historisë.

Photo: Majlinda Hoxha

Përkundër betejës së vazhdueshme me sëmundjen, Willem arriti t’i realizojë të gjitha planet që kishte me këmbëngulësi. Nga viti 2016 realizoi ekspozitë në Prishtinë dhe Beograd, publikoi librin “For Hanna, Future Stories from the Past…”, si dhe themeloi fondacionin For Hanna i cili ofron mbështetje për projekte dokumentare që synojnë të nxisin debat publik përmes formave të ndryshme të mediale. /KultPlus.com

Të ngjajshme