29 Shtator, 2018 - 10:39 am
Sonte me fillim prej orës 19:00 në Tirana Art Lab do të hapet ekspozita ‘Double Feature # 10 – Jora Vaso & Theo Napoloni’.
Kjo ekspozitë, midis të qenurit dhe mos qenurit, midis të bërit dhe mos bërit, për shkak të pasigurisë karakterizuese të kontekstit ku ushtron veprimtarinë Tirana Art Lab, është përmbledhëse e dy ekspozitave që i nënshkruari kishte ndërmend të realizonte në muajt e parë të kësaj vjeshte 2018.
Koncepti fillestar, që do të përbashkonte njërën dhe tjetrën, ishte problematizimi i “mureve” brenda hapësirës ekspozitive, ose më mirë të thuhet, përqasja instalative e punëve artistike përkundër asaj standarte, varjes së tyre nëpër mure, ekspozimit dypërmasor. Ky koncept ishte rezultat i një sugjestioni prej veprës së Virginia Woolf-it dhe më saktësisht esesë “A Room of One’s Own” (Një dhomë mëvete) dhe tregimit të saj të parë “The Mark on the Wall” (Shenja në mur), ku përtej provokimeve gjinore për të pasur një dhomë më vete, shkrimtarja hap përfundimisht çështjen problematike të “mureve” si masë apo metër gjykimesh përcaktuese dhe përfundimtare.
Ekspozita e parë që mendoja të organizoja merrte shkas nga punët fotografike të disa artisteve. Njëra prej tyre, pjesë e kësaj ekspozite, është Jora Vaso. Në punët e saj vihet re një lojë sarkastike e cila luhatet midis përdorimit, në dukje, të çlirtë, të pavëmendshëm të mediumit (smartphone) – që i ngjason mendjelehtësisë sonë në përdorimin e përditshëm të këtij dispozitivi “pushtues” të jetëve tona – dhe kontradiktave të brendshme të imazheve, ku ngjyrat dhe format, të zgjedhura me shumë kujdes, përplasen dhunshëm.
Edhe në këtë ekspozitë, nga njëra anë, menjëhershmëria prej diletanteje e Jorës (rrënja etimologjike e kësaj fjale latine – dilettare, delectare, delicere, de+lacio – ka të bëj me tërheqjen e një filli), karakterizon imazhet, nëpërmjet ngjyrave, me një pasion sa të hovshëm aq edhe shpërthyes dhe argëtim sa të sinqertë aq edhe efemer; ndërsa, nga ana tjetër, gjetja e qëllimshme dhe e kuruar e formave të dhunshme apo dekadente, në këtë rast aspak diletanteske, menjëhershmërinë argëtuese na detyrojnë ta shohim në sfondin e saj tragjik, të kobshëm me të cilin është e lidhur pashmangshmërisht.
Dhe nuk mund të mos të të bëjnë të mendosh këto foto mbi efektin e alienues të dispozitivëve të komunikimit, të cilët, nëpërmjet filtrave estetizant, na abstragojnë realitetin e optimizojnë makinerinë që “çon përpara drejt progresit” shoqërinë, aty ku horizonti i eventeve të së përditshmes, edhe pse i dhunshëm, konsumohet si spektakël fishekzjarresh, duke fshirë kujtesën tonë historike.
E megjithatë, disa evente, nga ky horizont i së përditshmes tashmë më shumë se çerekshekullore të tranzicionit, mbeten, dhe këtu jemi te punët e Theo Napolonit. E mbeten duke insistuar me kokëfortësi në përshenjimin e atij horizonti të dhunës që ka koordinata të qarta e fikse në kujtesën e çdo shqiptari.
Por edhe në këtë rast, këto evente janë të rrezikuara e në bjerrje nga konsumi spektakolar i historisë, që i zbardh, u heq bojën e pasionin, duke i lënë, thuajse, gjysmake.
Edhe për Theo Napolonin, njësoj si për Jora Vason, nuk ka zgjidhje tjetër përveç sarkazmës, ironisë therëse ndaj kësaj dhune të përditshme 27-vjeçare, ku historia – e fshirë dhe e rifshirë – ka rreshtur së na mësuari e, madje, s’rresht së përsërituri vetveten në horizontin e përditshëm të eventeve të kobshme, deri në konsumimin e saj të plotë.
Por, ndryshe nga Jora, që nxjerr në pah dhunën e së përditshmes duke ekzagjeruar efektin mpirës, mbytës, topitës të fotografive të saj kontrastuese në formë dhe përmbajtje, Theoja i përkthen këto fotografi (mediatikisht të famshme), edhe një herë në piktura, në arkenë (ἀρχή) e tyre mediatike, pra edhe një herë në burim apo origjinë, ku, të mbetura pezull midis fshirjes dhe zhdukjes përfundimtare, përpiqen edhe një herë për të kapur atë ç’ka mbetur prej ndërgjegjies sonë kolektive e për ta përballur me atë ç’ka duhet të quajmë kujtesë kolektive. / KultPlus.com