22 Mars, 2019 - 11:04 am
Sot në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë hapet ekspozita me titull “As mik as armik”, e artistit Sokol Beqiri.
Kuratorja Galit Eilat thotë se stili i drejtpërdrejtë dhe faktik që Sokol Beqiri përdor në punët e tij pas vitit 1999 nuk është i rastësishëm, kjo është një zgjedhje e vetëdijshme teknike. Tmerret e luftës na shfaqen krejt të zhveshura, nëpërmjet syrit të të mbijetuarit dhe zgjedhjet estetike të artistit nuk e lejojnë shikuesin ta largojë shikimin.
“Jemi të privuar edhe nga ndjenja e katarsisit, këto ngjarje kanë ndodhur dhe nga to nuk ka ardhur asnjë e mirë. Nuk gjejmë as shëlbim dhe shikuesi nuk fshihet dot nga mesazhi i qartë i punëve. Nëse arti nuk mund të na shpëtojë, të paktën mund të përshkruajë dhe të raportojë. Roli që merr Beqiri është roli i dëshmitarit, i cili është këtu për të raportuar dhe për të na kujtuar tmerret që nuk mund t’i harrojmë”, thotë Eliat.
Ajo shton se është kjo formë e teknikës, ky vështrim i palëkundur i artistit, që i kthen në jetë kujtimet e luftës në Kosovë.
“Duket sikur Beqiri ka marrë përsipër sfidën e nënkuptuar në esenë aq të keqkuptuar të Adorno’s ‘Nach Auschwitz ein Gedicht zu schreiben ist barbarisch’ (‘Të shkruash poezi pas Auschwitz-it është barbare’). Nëse pyetja e Adorno’s është “si mundet dikush të shkruajë një poezi që përmbledhë barbarinë e Holokaustit?, atëherë Beqiri i përgjigjet: duke bërë atë që artistët kanë bërë përherë dhe duke gjetur mjetet e duhura teknike”, – nënvizon kuratorja përmes një teksti të shkurtër publikuar nga GKA. Ajo shënon se lufta gjithmonë ka kërkuar të jetë e përfaqësuar në art, në art të lavdit dhe të shenjtërimit.