Sony World shpall fotografët e vitit 2021 (FOTO)

15 Prill, 2021 - 4:39 pm

Sony World Photography Awards ka shpallur sot fituesit e konkursit për vitin 2021.

Çmimet kryesore shkuan për dy fotografë që u munduan të protretizojnë në një formë tjetër kulturën dhe historinë.

Britaniku Craig Easton u zgjodh Fotografi i Vitit dhe fitoi 25,000 dollarë për setin fotografik “Bank Top”, i cili përfshin foto bardh e zi, të një komuniteti të vogël dhe tejet të veçuar në Blackburn, në Anglinë veriore, shkruan CNN të enjten, transmeton KultPlus.

Ndërkohë, fotografja nga Zimbabve, Tamary Kudita, fitoi 5.000 dollarë për portretin, “Afrikano Viktoriane”, e cila përshkruan një grua me ngjyrë me një fustan voluminoz të errët të stilit viktorian duke parë foto-aparatin, ndërsa mban në duar enët tradicionale të gatimit të popullit shona.

Imazhi pasqyron dualitetin e fotografes, e cila thotë se në ato fotografi ndërthur prejardhjen e saj nga shona dhe kulturën perëndimore në të cilën u asimilua.

Fituesit e tjerë janë Coenraad Heinz Torlage, student nga Afrika e Jugut dhe fotografi indian Pubarun Basu. / KultPlus.com

Të ngjajshme