Sot hapet ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”

25 Mars, 2024 - 10:02 am

Mbrëmjen e sotme, duke filluar nga ora 19:30, do të hapet ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, përcjell KultPlus.

Sipas njoftimit të Bibliotekës, në ekspozitë janë përzgjedhur disa fragmente nga videointervistat e transkriptuara të të mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe, që tregojnë mizorinë e forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe se çfarë kanë parë dhe përjetuar më 25,26 dhe 2 mars të vitit 1999.

Ekspozita do të realizohet në përkujtim të përvjetorit të masakrës së Krushës, ku të moshuar, burra, djem e fëmijë u vranë nga serbët, e shumë të tjerë u zhdukën.

“Këto histori personale të banorëve, do të frymëzojnë për të kujtuar se Krusha e Madhe ishte një nga vendet më të rëndësishme në Kosovë për ndërgjegjen tonë historike. Për më tepër, dokumentimi i kapitullit të masakrave në Kosovë, siç është edhe kjo e Krushës, do të ndihmojë në mbrojtjen e vlerave shtetërore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ky projekt u formësua nga puna e dy institucioneve: Bibliotekës Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe të Fakultetit Filozofik – Departamenti i Antropologjisëi Universitetit të Prishtinës.

Projekti është ndihmuar financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe është mbështetur nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë dhe nga Komuna e Rahovecit.
Kjo ekspozitë është një ftesë për t’i njohur dhe për t’i kujtuar sakrificat dhe sfidat për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Janë shembulli më i mirë se si një vend dhe shoqëri duhet të mbrojë të kaluarën e tij.

Shqiptarët e Kosovës dhe komunitetet e tjera mund të parandalojnë fatkeqësi të reja nëse kujtojnë dhe institucionalizojnë vuajtjet e së kaluarës së tyre. Në këtë kuptim, historitë gojore të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, janë një shembull premtues. / KultPlus.com

Të ngjajshme