9 Maj, 2019 - 10:00 am
Alberina Haxhijaj
Artisti i mirënjohur Alban Muja, sivjet përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venedikut, ngjarjen më të madhe në fushën e artit bashkëkohor. Në Pavijonin e Kosovës i cili do të hapet sot duke filluar nga ora 14:00, ai do të paraqitet me projektin e tij multimedial të quajtur “Albumi Familjar”. Në këtë projekt, Muja flet për të kaluarën e kosovarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, ngjarje kjo që ndodhi 20 vjet më parë, shkruan KultPlus.
Gjithë ideja për këtë projekt sipas Mujës ka filluar në kohën kur ai ishte duke shfletuar albumin e tij familjar dhe kishte gjetur një fotografi të tij së bashku me kryeministrin e Spanjës, në vitin 1999 (Jose Maria) Aznar. Mirëpo sipas tij, përdorimi i kësaj fotografi mund të shihej si një projekt politik pasi që babi i tij ishte një ish i burgosur politik si dhe mund të ishte subjektive. Prandaj projekti mori një drejtim tjetër dhe krijoi lidhshmëri me përjetimet e tij që i kishte si refugjatë.
Projekti i tij multimedial flet për të kaluarën e shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe si pikë referuese i ka përvojat e refugjatëve. Në këtë projekt do të flitet për tri fotografi të njohura të luftës, duke bërë kështu që të mos diskutohet për luftën direkt mirëpo për anën njerëzore të kësaj periudhe. Videoja e realizuar për këtë projekt sjell kujtimet e katër personazheve.
Sipas Mujës kjo është edhe një ftesë për të mos e harruar të kaluarën e Kosovës si dhe njëkohësisht nxitë diskutimin për gjendjen e refugjatëve nëpër botë./ KultPlus.com