8 Nëntor, 2022 - 5:45 pm
Sot vjen hapja e ekspozitës personale të autorit Jeton Gusia “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”, kuruar nga Blerta Hoçia, përcjell KultPlus.
Peisazhet urbane, jeta rurale, pjesë nga aktivitete të përditshmërisë, në pishina, në qendra masazhi, në autobus, në mensën e qendrës tregtare; janë skena që përbëjnë të jetuarit në tërësinë e vet, një botë e vogël e treguar në imtësi, një botë e duruar edhe kur është dhunshme edhe kur një tension nën lëkurë duket se do ta plasarisë telajon e bashkë me të edhe pikturën.
Duke imituar gjestin dhe formën piktorike të artistit edhe shikimi i punëve në ekspozitë ofrohet në terr, si në hyrjen e një miniere, ku avancimi në brendësinë e galerisë nëntokësore nënkupton pakësimin e dritës që vjen nga jashtë. Kjo mund të shërbejë si një metaforë kuptimplotë ku humbja e dritës së ndërgjegjes shkëmbehet me fitimin e errësirës ose aftësinë për të avancuar më në brendësi të të panjohurave që nuk mundet ti ofrojë vetëdija.
Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here copëza dite si idile të pikturuara të përditshmërisë shfaqen me thjeshtësinë e jetës së jetuar.
Si për të thënë se të vërtetat thelbësore, kuptimet e çmuara gjenden aty para nesh në pamjen e një sheshi të rëndomtë e të populluar, ku secili subjekt është kuintesenca e asaj që përfaqëson. / KultPlus.com