13 Nëntor, 2024 - 10:00 am
Galeria Qahili organizon ekspozitën e radhës me artistët Fehim Husković dhe Valentina Stevanovska, dy artistë nga Maqedonia e Veriut, të cilët do të prezantojnë punimet e tyre në grafikë dhe skulpturë.
Ekspozita me titull “Thellësia dhe Vëllimi” do të hapet sonte, duke filluar nga ora 19:30.
Fehim Husković artist i grafikës, përfundoi shkollën e mesme të artit në Shkup dhe studimet në Akademinë e Arteve të Bukura. Më pas, mori titujt Master dhe PhD në Pedagogji dhe Metodologji të Arteve të Bukura në Universitetin e Sofjes, Bullgari. Aktualisht është profesor në Fakultetin e Arteve të Bukura në Shkup. Ai ka organizuar rreth 128 ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në mbi 800 ekspozita grupore/kolektive dhe mbi 200 koloni e simpoziume ndërkombëtare. Ka fituar 35 çmime për vizatim, grafikë, pikturë dhe arritje pedagogjike, dhe veprat e tij janë pjesë e muzeve dhe koleksioneve private në mbarë botën.
Prof. Dr. Valentina Stevanovska, skultpore, diplomoi në Fakultetin e Arteve të Bukura për skulpturë në 2004 dhe përfundoi doktoraturën në Novi Pazar në 2017. Që nga viti 2010, ajo është profesore në Fakultetin e Arteve të Bukura në Shkup dhe anëtare e Shoqatës së Artistëve të Maqedonisë që nga viti 2004. Stevanovska ka organizuar mbi 19 ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në mbi 30 ekspozita grupore/kolektive. Gjithashtu, është autore e statujës së Lekës së Madh/Aleksandrit të Madh në Shkup./ KultPlus.com