14 Shkurt, 2022 - 10:43 pm
Sot vdiq profesori Bahri Drançolli, njëri ndër themeluesit e Artit Modern dhe Artit Grafik, si dhe njohës i shkëlqyeshëm i arteve figurative, përcjell KultPlus.
Lajmin e bëri të ditur historiani Jahja Drançolli, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, i cili tregon se sot në Münich në orët e para të paraditës, ka vdekur një ndër artistët më të shquar të kombit.
“Realizimet e para si artist ndërkombëtar i nisi duke marrë pjesë në restaurimin dhe konservimin e afreskeve në Bazilikën Eufrasiane në Poreç (Kroaci), si dhe në Zagreb, qytet ku ka realizuar disa piktura”, ka shkruar ai.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tij të plotë:
U shua nga jeta Maestro, Prof. Bahri Drançolli: Arti i Kosovës humbi njërin ndër themeluesit e Artit Modern dhe Artit Grafik, si dhe njohësin e shkëlqyeshëm të arteve figurative përgjithësisht!
Në Munich, në orët e para të paraditës së sotme, 14 shkurt 2022, ka ndërruar jetë Prof. Bahri Drançolli një ndër artistët më të shquar të kombit.
Maestro, Prof. Bahri Drançolli ka diplomuar në Fakultetin e Arteve të Aplikuara në vitin 1967 në Beograd në klasën e profesor Rajko Nikoliç-it. Studimet pasuniversitare, Artin Grafik i kreu në Akademinë e Arteve në Stuttgart (Gjermani) në vitin 1970 dhe më vonë në Akademinë e Arteve në Munich (Gjermani) në vitin 1973.
Realizimet e para si artist ndërkombëtar i nisi duke marrë pjesë në restaurimin dhe konservimin e afreskeve në Bazilikën Eufrasiane në Poreç (Kroaci), si dhe në Zagreb, qytet ku ka realizuar disa piktura.
Vlen të përmendet sidomos piktura me titull “Dera e Gurit”, vaj në pëlhurë (Zagreb, 1971).
Maestro, Prof. Bahri Drançolli është bërë i njohur për artdashësit gjermanë dhe botërorë me ekspozitat e tij personale veçanërisht në: Marsyas Gallery (Germany), Hesler Gallery, Munich (Germany), Studio M Gallery Bamberg (Germany) Gallery Kunstwerkstatt, Darmstadt (Germany), Kunstverein Rosenheim, Munich, Keislich Gallery Munich, Van Laar Gallery Munich, Stuckvilla, Munich, (Germany), etj. / KultPlus.com