21 Shtator, 2024 - 11:42 pm
Flonja Haxhaj
Të enjten, në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita ‘SPÄTWERK’ e artistit Dren Maliqi, ekspozitë kjo që sjell një përmbledhje të veprave të krijuara gjatë dy dekadave të fundit, nga viti 2003 deri në vitin 2023.
Kuruar nga Catherine Nichols, kjo ekspozitë është një udhëtim përmes punëve të ndryshme artistike, që përfshijnë fotografi, video, piktura, instalacione, postera dhe projekte pjesëmarrëse, duke ofruar një reflektim të thellë mbi tensionin mes mendimit dhe veprimit që karakterizon krijimtarinë e Maliqit.
Veprat e Maliqit ekspozohen në një rrjedhë të vazhdueshme në katin e parë të galerisë, ku veprat e hershme ndërthuren me ato më të rejat, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes së kaluarës dhe së tashmes. Ky përzierje kohore ofron një perspektivë të re mbi temat historike, sociale, kulturore dhe politike, duke vënë në pikëpyetje natyrën e artit bashkëkohor dhe rolin e tij në botën moderne.
Artisti Dren Maliqi, tha në hapje të ekspozitës se këto vepra paraqesin punën e tij 20-vjeçare dhe se çfarë flasin ato edhe në ditët e sotme.
“Me Catherine jam njoftuar gjatë periudhës së Manifestës. Kemi punuar për një vit dhe ka vazhduar kontaktin deri sa vitin e kaluar unë i kam propozuar dhe ajo më ka shtyer që të bëj këtë ekspozitë. Ekspozita titullohet ‘Punë të vonshme’ , jemi munduar që të paraqesim një punë të 20 viteve të fundit dhe me i rishiku sot çfarë flasim ato”, tha Maliqi për KultPlus.
Kuratorja e ekspozitës, Catherine Nichols, tha për KultPlus se u takua për herë të parë me Dren Maliqin tek ‘Manifesta’ dhe që atëherë filluan të flisnin për artin dhe aty ishte edhe zanafilla e këtij bashkëpunimi.
“Ne filluam të flasim tre vite më parë kur unë fillova të punoj tek ‘Manifesta’. Ne filluam të flasim rreth artit dhe unë zbulova sa në mënyrë inteligjente ai fliste për artin dhe historinë e artit. Ne folëm dhe më pas Dreni vendosi që të bëjë një ekspozitë për t’u kthyer pas në veprat e tij të mëhershme dhe në veprat e fundit gjithashtu” theksoi Nichols.
Ndërkaq, ‘SPÄTWERK’ do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 30 tetor 2024./KultPlus.com