10 Mars, 2021 - 12:17 pm
Me rastin e ekspozitës kolektive të artistëve mbarëkombëtar, përkatësisht nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, që organizohet në shenjë të 100 vjetorit të themelimit të Bashkisë së qytetit të Sarandës dhe të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Kjo ekspozitë e përbashkët e titulluar “Artistët për gratë” është organizuar nga Qendra “Tirana Art” dhe drejtuar nga autorja, piktorja Jona Dividi, me mbështetjen e “Bashkisë Sarandë”.
Nga Hivzi Muharremi
100 artistë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi më 8 Mars në “Ditën Ndërkombëtare të Gruas”, si dhe në 100 vjetorin e themelimit të Bashkisë Sarandë, u bënë bashkë në aktivitetin artistik, i cili deri me sot i tejkalon të gjitha manifestimet nga fusha e arteve pamore, si për nga përfaqësimi mbarëkombëtar po ashtu edhe nga cilësia e vlerave ideo-estetike të punimeve të ekspozuara. Përkatësisht është një evenimentit shumë i rëndësishëm dhe reprezentativ me një numër të madh pjesëmarrësish nga gjitha trevat shqipfolëse. Në Galerinë e arteve të qytetit të Sarandës do të prezantohen artistë të të gjitha zhanreve me nga një krijim artistik. Përfaqësimi i autorëve të ndryshëm në bazë të moderatorit është konceptuar në formën ku dashamirësit e artit të qytetit të Sarandës si dhe nga viset e qendrat e tjera mund t’i shijojnë vlerat e njëmendta të autorëve të cilët janë emra të njohur dhe gati çdo njëri, përkatësisht shumica e tyre janë artistë të dëshmuar nga fushat e arteve pamore si në pikturë, skulpturë, grafikë, arti konceptual etj.
Organizimi dhe realizimi i aktiviteteve të tilla me koncept mbarëkombëtar, janë më se të domosdoshme, sepse artdashësit kanë mundësi në mënyrë imediate, në një ambient ekspozues, të njihen jo vetëm me aktualitetin, por edhe me vlerat e njëmendta të çdo krijuesi, i cili përmes veprës shpërfaqë stilin e tij dhe botën e brendshme shpirtërore përmes elementeve figurative. Andaj, ideja e organizatorit të ekspozitës ishte koncepti gjithëpërfshirës i spektrit të gjerë krijuesish nga viset e ndryshme shqiptare. Si motiv primar të konceptit të moderatorit për këtë ekspozitë është; Përmes kompozimeve artistike, çdo njëri në stilin e tij, të vendosë në spikamë mbështetjen kundër dhunës ndaj grave e vajzave, që fatkeqësisht akoma në shekullin e XXI, është evidente në të gjithë hapësirën e globit. Përmes veprave artistike, theksueshmëria shkon drejtë ndërgjegjësimit në ditën ndërkombëtare të gruas.
Tablotë e ekspozuara në aspektin e tematikës, ngërthejnë kompozime koloristike e kompozicionale, me dominim të shprehjes ekspresive, surreale, abstrakte e deri diku me primesa të artit modern.
Karakteristikë e tërë ekspozitës është bota shpirtërore, poetike dhe ekspresive, që thekson botën artistike të secilit artist, duke filluar nga qasja reale e deri tek ajo abstrakte, e cila arrihet jo vetëm me elementin e ngjyrës, por edhe me atë të formës, të përmbajtjes dhe të raporteve koloristike dritë-hije. Prania e krijuesëve mundëson të kuptohet se gjithnjë punohet e krijohet në bazë të arritjeve, që fillet e kuptimit të punimeve dalin si lajtmotiv i frymëzimit shpirtëror e emocional të artistit.
Një karakteristikë tjetër, që mund të veçohet në ekspozitë, është dominimi i elementit hapësinor dhe figuracioni në trajtën e elementeve koloristikë.
Në këtë dihitonomi ravijëzohen reflekset e elementit të dritës, roli i së cilës është tepër i theksuar në tërësi. / KultPlus.com