30 Shtator, 2019 - 3:38 pm
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallë artistët e rinj që kanë aplikuar në konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2019, përcjellë KultPlus.
Artistët që kanë aplikuar në konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2019 janë: Melos Gashi, Fatbardha Goga, Shkamb Jaka, Arbnor Karaliti, Edona Kryeziu, Enkela Maxhuni, Brilant Milazimi, Butrint Morina, Shkurte Ramushi, Vernona Rrustemi, Sadie Tadi Suhodolli, Jetullah Sylejmani, Somer Şpat, Valdrin Thaqi, Yll Xhaferi dhe Dion Zeqiri.
Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 do të shpallen më së voni deri më 4 tetor 2019.
Anëtarët e jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 janë: Sezgin Boynik, Qëndresa Deda, Charles Esche, Adam Kleinman dhe Jelena Vesić.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë në ekspozitën e përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë.
Qëllimi i çmimit “Artistët e së nesërmes”, i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.
Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 do të përzgjedhen nga juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 duke marrë për bazë shqyrtimin e portfolios artistike, arritjet profesionale, ekspozitat e mëparshme dhe potencialin e demonstruar të artistëve aplikues.
Tre finalistët e zgjedhur të çmimit do të shfaqin veprat e tyre në ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019, që hapet me 6 nëntor 2019, në Klubin e Boksit në Prishtinë.
Juria do të shpallë fituesin/en në mbylljen e ekspozitës të tre finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019, që do të mbahet me 6 dhjetor 2019, në Klubin e Boksit në Prishtinë. Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetet nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.
Mbështetësit kryesor të “Artistëve të së nesërmes” 2019 janë: Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë. / KultPlus.com