16 Janar, 2019 - 1:02 pm
Jeta Zymberi
Stina e dimrit kërkon gjithmonë veshje sa më të rehatshme e të ngrohta, të gjithë e lënë pak anash elegancën dhe stilin duke u munduar të ndihen sa më rehat e të mos e ndjejnë të ftohtin. Por, kur ju gjeni veshjet e duhura, edhe gjatë ditëve të ftohta ju mund të dukeni me shumë stil, elegante dhe të ndiheni ngrohtë, shkruan KultPlus.
Për të pasur të gjitha këto cilësi në një veshje, për ju është kujdesur disenjatorja Valdete Mustafa. Përmes koleksionit “Stand Still” që do të thotë “Qëndrojnë akoma”, Mustafa ka sjellë kreacione për femrat, duke dashur kështu të simbolizojë gruan e fort dhe me vetëbesim.
Mustafa është sinonim i kombinimit të klasikes, elegancës, ekstravagancës, unikes dhe gjithmonë pa vulgaritet, duke ofruar kështu gjithmonë komoditet dhe rehati për të gjithë ata që vendosin të vishen nga ajo.
Mustafa e cila tashmë është një emër i njohur në fushën e modës, me punën e saj të pandalshme dhe vullnetin e madh ka arritur të jetë mjaft e pëlqyer tashmë.
“Sigurisht që puna e pa ndalshme dhe vullneti për të punuar kanë një përqindje të madhe që më kanë ndihmuar të mbërrijë këtu ku jam. Arsyeja e kësaj është që unë kam vlera etike dhe karakter të adaptueshëm me njerëz, i kushtoj vëmendje detajeve të cilat janë sekreti i suksesit”, është shprehur disenjatorja për KultPlus.
Ky koleksion unik i sjellë nga Mustafa na sjellë veshje të bukura dhe ngrohta për veçantitë e së cilit na flet vetë disenjatorja.
“Veçantia e këtij koleksioni është kombinimi i ngjyrave, të materialeve, prerjet e veshjeve dhe punimi i tyre deri në detajin më të vogël. Kësaj radhe kam përdorur ngjyra që simbolizojnë tokën, si e kuqe, e kuqe e errët, ulliri, e gjelbër e errët (pishë), bardhë ,kaltër e errët, kafe etj. Ndërsa materialet janë shtofa të ndryshëm që kanë përmbajtje të fibrave si pambuku, leshi dhe fibra të ndryshme me prejardhje natyrore dhe kimike”, ka treguar kështu Mustafa rreth gjithë idesë së koleksionit, materialeve dhe ngjyrave që ka vendosur t’i përdorë kësaj radhe.
I përbërë nga 11 veshje gjithsej, ky koleksion është prezantuar nga modelja Marigona Krasniqi, përderisa fotografitë janë realizuar nga Shenoll Zehri.
Disenjatorja Mustafa ende pa shijuar suksesin e plotë të koleksionit dimëror, tashmë ka filluar punën për koleksionin e ri pranverë-verë 2019. Me këtë koleksion ajo premton të sjell fustane të gjatë shumë unik, me ngjyra dhe nuanca interesante. /KultPlus.com