Stina e vjeshtës inspirim për koleksionin e ri të disenjatores Jetmira Bejtullahu (FOTO)

7 Tetor, 2017 - 4:44 pm

Jeta Zymberi

Si një dizajnere e re në treg, Jetmira Bejtullahu mundohet që çdo sezon të sjellë trende të reja për ata që e donë dhe e çmojnë punën e saj sa të veçantë aq edhe praktike, shkruan KultPlus.

Në këto ditë vjeshte, Bejtullahu ka vendosur të sjellë për publikun një koleksion që është linjë e veshjeve ready to wear.

“Në këtë koleksion shihet shumë mirë stili ku kam kombinuar urbanen me solemnen, kjo është edhe një veçanti që besoj më veçon nga tjerët”, ka treguar disenjatorja Bejtullahu për KultPlus.

“Feuillemort” quhet koleksioni i cili prezanton veshje për sezonin vjeshtë – dimër me gjithsej 14 veshje duke filluar prej fundave të shkurtër deri tek bunda. Ndërsa ngjyrat e përdorura janë ngjyrat që janë trendi këtë sezon si: portokalli, mustard, bezh etj.

“Ky është koleksioni i pestë që krijoj dhe këtë herë emrin e kam vendos në fund, pasi janë përfunduar të gjitha veshjet e pash çka i shkonte më shumë. E kam quajtur “Feuillemort” që do të thotë ngjyra e gjetheve të vyshkura, dhe siç shihet kjo ngjyrë dominon në këtë koleksion. Për këtë koleksion jam inspiruar nga vet stina e vjeshtës dhe trendet e fundit”, ka thënë tutje Bejtullahu.

Gjithashtu disenjatorja ka treguar edhe për materialet e përdorura për këtë koleksion e që sipas saj janë trendët e fundit.

“Materialet që kam përdorur për këtë koleksion janë: somoti antilop, plish, pelqie etj”, ka pohuar ajo.

Fotografitë e këtij koleksioni janë realizuar nga fotografi Korab Kusari, ndërsa veshjet janë prezantuar nga modelet Fjolla Këndusi dhe Laura Geci.

Bejtullahu tashmë ka filluar punën për koleksionin e radhës. “Kam filluar t’i skicoj fustanet për koleksionin e rradhës haute couture dhe besoj që shumë shpejt do të filloj linjën e re me fustane të bardh të nusërisë”, ka thënë krejt për fund Bejtullahu. / KultPlus.com


Të ngjajshme