2 Mars, 2019 - 10:01 am
Artistja Flaka Haliti është në mesin e katër të nominuarve për çmimin artistik Preis der Nationalgalerie.
Çmimi ndahet çdo dy vite për artistët të cilët punojnë dhe jetojnë në Gjermani.
Pauline Curnier Jardin, Simon Fujiwara dhe Katja Novitskova i bashkohen artistes Flaka Haliti në këtë nominim.
Për të zgjedhur fituesin pason edhe një ekspozitë e cila do të hapet në Berlin në muajin gusht. Çmimi, njëjtë sikur ekspozita, promovon pozicionet e ndryshme të artit bashkëkohor që kanë reflektuar në skenën kulturore në Gjermani, duke sjellë edhe shprehje të reja dhe duke bërë që kjo skenë të zgjerohet e të promovohet edhe në botë.
Ekspozita me katër të nominuarit do të hapet me 16 gusht në Hamburger Bahnhof – Museum für Gegenwart – Berlin.
Fituesi do të përzgjedhet nga një pane i ekspertëve dhe më pas do të hapë ekspozitën personale në një prej sallave të Galerisë Kombëtare – Nationalgalerie në Berlin.
Flaka Haliti është një prej artisteve më aktive nga Kosova, e cila jeton në Gjermani por ekspozitat dhe paraqitjet i ka të shpeshta në shumë shtete. Ajo e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut në vitin 2015-të, ndërsa ka fituar edhe çmimin Ars Viva Prize, shkruan KultPlus.
Fituesit e këtij çmimi në të kaluarën janë Agnieszka Polska (2017), Anne Imhof (2015), Mariana Castillo Deball (2013), Cyprien Gaillard (2011), Omer Fast (2009), Ceal Floyer (2007), Monica Bonvicini (2005), Elmgreen & Dragset (2002) dhe Dirk Skreber (2000). / KultPlus.com