29 Shtator, 2019 - 2:00 pm
Konsiderohet si një nga eksponentët më të famshëm të Surrealizmit. Max Ernst godet me veprat e tij absolutisht simbolike: një repertor me tablo onirike që e bënë të famshëm në të gjithë botën.
Ernst përjeton klimën historike dhe kulturore të lidhur me dy luftërat botërore dhe, duke punuar brenda temës surrealiste të ëndrrave, të ndryshimit të kuptimit, rimëkëmbjes së paraardhësve dhe habisë së pavetëdijshme, ai i dedikohet punës kërkimore përmes teknikës, çka e çon atë në imazhe formale të pashprehura më parë, që zgjerojnë horizontet e pikturës dhe skulpturës.
Imazhet kanë strukturat e tyre karakteristike, jetojnë sipas aftësisë së tyre krijuese dhe fantastike, rezultatet e të cilave burojnë nga këndvështrimi i autorit. Imazhi gjeneron ëndrrën: artisti pasi ka parë lindjen e imazhit “si spektator”, ëndërron dhe mbështetet tek ajo.
Pra, kemi të bëjmë me faktin se arti nuk kualifikohet si regjistrimi pasiv i një gjesti apo lëvizjeje të psikikës, por kryesisht si mjet për këqyrjen e botës së brendshme, si mjet për kërkime dhe hapje për vazhdimin e përvojës historike.
“Të pikturuarit për mua nuk është një argëtim dekorativ, apo shpikje plastike e një realiteti të paqartë; piktura duhet të jetë çdo herë shpikje, zbulim, e paparashikuar”, – shprehet Ernst.
Ndër veprat e tij kryesore përmendim: “Aquis submersus” (1919), “Qyteti me kafshë”, “Virgjëresha rreh Jezusin para tre dëshmitarëve” (1926), “La Vestizione della Sposa” (1940), “Immortel” (1966), “Engjëlli i Shtëpisë”, “Barbarët”, etj.
Max Ernst, piktor, skulptor, grafist dhe shkrimtar gjerman, lindi në Bruhl më 2 prill 1891. Në vitin 1909 u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Bonit, ku filloi të studionte filozofinë, historinë e artit dhe psikiatrinë, më pas zuri të vizatonte duke nxjerrë kështu në pah prirjen e tij për artin.
Në vitin 1913 ekspozoi pikturat e para në Berlin, ku u takua me Gijom Apolinerin. Në vazhdim u fut në kontakt edhe me figura të tjera të shquara, përfshirë Robert Delaunay. Në vitin 1914 Max Ernst, periudhë kur përdori pseudonimin Dadamax, filloi të punojë me Hans Jean Arp dhe Johannes Baargelded.
Që të tre aderonin në lëvizjen e Blaue Reiter (Kalorësi i kaltër) të Monakos, një nga grupet e para artistike të ekspresionizmit, si dhe me revistën ekspresioniste të Berlinit “Der Sturm”. Përkrahës i bindur i avangardës, debutimi i Max Ernst zhvillohet me piktura ekspresioniste, mandej vijon me dadaizmin dhe nën ndikimin e pikturës së Giorgio De Chirico krijon piktura dhe kolazhe, në të cilat bashkekzistojnë objekte dhe figura heterogjene që krijojnë situata dykuptimëshe, surreale dhe onirike.
Zbulimi dhe njohja e De Chirico, studimet mbi Frojdin dhe psikoanalizën, si dhe përvoja e drejtpërdrejtë që pati si student në spitalet psikiatrike, kontribuuan mjaftueshëm në përkufizimin e dadaizmit të veçantë të Ernstit, i cili shprehet mbi të gjitha në kolazhet e lartpërmendura.
Në vitin 1920, së bashku me piktorët e tjerë, Ernst realizoi veçantinë: forma e artit që fokusohet në ngjarje dhe jo në objektin e vetëm, sikur të ishte një interpretim, i parealizuar ndonjëherë nga dadaistët. Ekspozitën e parë e hapi në vitin 1921, në “Galerie au Sans Pareil” në Paris.
Në vitin 1922 ai u transferua në kryeqytetin francez, ku do të jetë një nga themeluesit e “Manifestit të surrealizmit”, dy vjet më vonë botoi “Traktatin e pikturës surrealiste” (1924). Në vitin 1926, u largua nga lëvizja e dadaistëve për t’iu përkushtuar surrealizmit, gjithnjë e më i apasionuar, duke i veshur surrealizmit një interpretim jashtëzakonisht personal.
Në vitin 1929 botoi roman-kolazhin e parë “La Femme 100 têtes” (“Gruaja 100 koka”), ndërsa në vitin 1930 bashkëpunoi me Salvador Dali dhe Luis Bunuel në filmin “Mosha e artë”. U rikthye në Paris në vitin 1954, për të vazhduar kërkimet vetjake në fushën e artit surrealist.
Po atë vit, në Bienalen e Venecias, iu dha edhe çmimi i parë. Pas luftës, Max Ernst vazhdoi prodhimin e pikturave, skulpturave dhe veprave grafike në një ritëm shumë intensiv, duke përdorur dhe duke shpikur teknika të reja, si p.sh. çlirimin e ngjyrës së varur dhe përdorimin e fotografisë.
Fërkimi është teknika e veçantë e përdorur nga Max Ernst, e cila konsiston në vendosjen e fletës në çdo sipërfaqe të ashpër (dru, fletë, gur) dhe fërkon me një laps për të bërë vizatimin në sajë të fërkimit që ndodh kundër ashpërsisë së subjekteve.
Vitet e fundit të jetës, Max Ernst punoni thuajse ekskluzivisht me skulpturë; një nga veprat e fundit interesante është gjithsesi një haraç për zbulimet dhe misteret e shfaqura në sezonin e surrealizmit: Maximiliana ose ushtrimi ilegal i astronomisë (1964), një libër i përbërë tërësisht nga shenja abstrakte, që simulojnë linjat e shkrimit dhe sekuencat e imazheve.
Max Ernst vdiq më 1 prill 1976 në Paris./konica.al/KultPlus.com