9 Shkurt, 2021 - 11:32 am
Në ambientet e Galerisë Kombëtare të arteve është hapur ekspozita më e re e titulluar “Synime”.
Kjo ekspozitë që vjen pas një kohe të gjatë shkëputje, ka për qëllim që të nxjerri në pah kontributin e grave shqiptare që kanë dhënë pikërisht në artin figurativ.
Në këtë ekspozitë marrin pjesë një numër i konsiderueshëm i artisteve që vijnë nga të gjitha trevat shqiptare të cilat gjithashtu përfaqësojnë breza të ndryshëm të artisteve gra. Përveç veprave bashkëkohore në këtë ekspozitë vijnë edhe vepra të cilat kanë qenë të mbuluara nga pluhuri i harresës.
Adela Demetja e cila është edhe kuratore e kësaj ekspozite shprehet se “në këtë ekspozitë për herë të parë vijnë rreth 40 vepra të artisteve gra në fushën e artit, në Shqipëri, Kosovë por edhe diasporë dhe një mbledhje e tillë e materialeve nuk është bërë kurrë deri më sot. Në këtë ekspozitë janë vepra nga të gjitha gjeneratat e artisteve gra, duke nisur që nga artistet e para të njohura në artin figurativ si Androniqi dhe Sofia Zenko në Shqipëri dhe Alie Vokshi në Kosovë dhe deri tek artiste të ditëve të sotme”.
Tematikat e sjella në këtë ekspozitë janë të ndryshme duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore dhe deri më sot, por ajo çka të bie në sy së tepërmi është faktori dominues në mentalitetin shqiptar, patriarkalizmi.
Vepra të tjera në këtë ekspozitë janë të emrave të njohur si Lumturie Blloshmi, Violeta Xhaferri, Lirie Buliqi, Merita Selimi, Diana Miziri, por kemi edhe artiste të reja të cilat përfaqësohen me krijimet e tyre si Bora Baboci, Flaka Haliti etj. Që në ditët e para të hapjes, kjo ekspozitë ka pasur mjaftë interes nga publiku dhe menjëherë sapo të përfundojë edhe koha e ekspozimit në Tiranë ajo do të shkoj për tu ekspozuar në Kosovë. / atsh / KultPlus.com