3 Qershor, 2021 - 6:13 pm
Era Berisha
Kauzat e veçanta që përfundojnë në suksese të njëpasnjëshme tashmë i janë bashkangjitur edhe ngjarjeve të ndryshme që po ndodhin në KultPlus Caffe Gallery, ku së fundmi ekspozita e Yllka Letit, vajzës 15 vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen Fibrozë Cistike, u vizitua nga përfaqësuesi i Zyrës së Bashkësisë Evropiane në Kosovë, Tomáš Szunyog, shkruan KultPlus.
Një numër i madh i pikturave që shpalosin elemente dhe detaje të veçanta, që nga muaji janar kanë zënë vendin e tyre në muret e KultPlus Caffe Gallery, kurse këto piktura tanimë kanë filluar të zbrazen ku ngjyrat unike të plasaritura për syrin e publikut kanë gjetur pronarin e tyre në shtëpinë e mjaft artistëve dhe figurave të njohura, të cilët kanë pasur rastin ta vizitojnë ekspozitën e artistes së re, duke u bërë kështu pjesë kyçe e zërit të shumë fëmijëve që vuajnë nga po e njëjta sëmundje.
Ndër këto figura është edhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkësisë Evropiane në Kosovë, Tomáš Szunyog, i cili sot vizitoi ekspozitën dhe njëkohësisht mësoi më shumë rreth situatës ekonomike e emocionale të Letit ku dëshira dhe shpresa e saj për një të ardhme ku arti shndërrohet në një ëndërr të realizuar, po shprehej përmes syve të saj.
“Po ndjehem shumë i nderuar që sot jam këtu për të vizituar galerinë dhe takuar artisten e re. U impresionova nga talenti i saj sepse është një punë shumë e bukur që më la përshtypje shumë. Po ashtu, mësova për jetën dhe sfidat në të cilat ka kaluar ajo dhe prandaj po e admiroj Yllkën ende më shumë”, thotë Szunyog.
Sipas tij, Yllka është sfiduar edhe nga ana ekonomike për të luftuar me këtë sëmundje dhe prandaj përshtypja e tij ishte se Kosova nuk ka krijuar kushte të mira për financimin e fëmijëve dhe kujdesin ndaj tyre.
“Mesa e di unë, ligji për kujdesin ndaj fëmijëve është adaptuar por rregulloret nuk janë adaptuar për vite të tëra dhe kështu ende nuk janë krijuar kushtet të cilat rregullojnë situatën e fëmijëve që ballafaqohen me situata të tilla. Kurse, Bashkia Evropiane është duke e asistuar Kosovën në përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor që është prekur sidomos nga pandemia”, thotë Szunyog.
“Së bashku mundemi ta garantojmë se do ti kushtohet rëndësi dhe kujdes më i mirë të gjithë fëmijëve dhe jo vetëm atyre që janë të talentuar”, potencon Szunyog.
Tutje, kryeredaktorja e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti falënderoi Szunyog për kohën e tij që ia kushtoi kësaj vizite për të parë punën e Yllka Letit.
“Yllka Leti e ka tejkaluar vetveten dhe është shndërruar në një kauzë për të gjithë fëmijët e Kosovës që janë të diagnostikuar me Fibrozë Cistike dhe nëpërmjet artit të saj, Yllka është shndërruar në një zë për të gjithë fëmijët dhe shpresoj se zëri i saj të jetë një këmbanë e fundit për institucionet e Kosovës që Yllka Leti, ta përdorë talentin jo vetëm për të shprehur artin e saj por edhe të sigurojë mjetet për shërim”, ka thënë Pajaziti.
Ndërsa, artisja e re Yllka Leti, përmes një letre ka falënderuar Tomáš Szunyog dhe drejtorin nga Drejtoria e Kulturës, Adrian Berisha për mundësinë që iu është dhuruar për të pasur një hapësirë ku ajo ka mundësi ta zhvilloj ende më shumë artin e saj. Kurse, në veçanti ajo është shprehur falënderuese ndaj kryeredaktores Pajaziti, duke e vlerësuar atë si një nga faktorët që ka kontribuar në suksesin e saj si artiste.
“Një falënderim i veçantë shkon për Ardiana Pajazitin nga KultPlus, e cila është njëra nga faktorët meritorë në suksesin tim dhe e cila më ka mundësuar dhe hapur dyert drejt suksesit”, thotë Leti.
Sipas saj, falë të gjithëve që kanë kontribuar në artin e saj, suksesi i saj çdo ditë e më shumë po rritet.
“Unë kam filluar një kurs për ‘Art me Pika’, ku nga kjo lindi ideja që punimet e mia ti shesë dhe me ato fitime të mbuloj shpenzimet për barnat e nevojshme dhe për pajisjet e domosdoshme që unë të jetoj”, përfundon Leti.
I pranishëm ishte edhe drejtori nga Drejtoria e Kulturës, Adrian Berisha, i cili shpalosi vendimin e tij për krijimin e një hapësire brenda bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’, që Yllka Leti ta ketë një hapësirë të sajën ku ajo të vazhdojë ta krijoj artin e bukur të saj.
“Unë jam informuar nga Adriana për gjendjen e Yllkës, ku vendosa që ta gjej një hapësirë për Yllkën brenda bibliotekës ‘Hivzi Syljemani’, një studio ku ajo mund ta shpreh artin e saj. Unë kam folur me disa shokë të mi, të cilët gjithashtu kanë shprehur dëshirë për ta mbështetur Yllkën në mënyra të ndryshme”, thotë Berisha.
Sipas tij, gjatë një bisede me Yllkën në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ai ka folur me të dhe i ka thënë që ta krijojë një listë me gjithçka çka asaj i nevojitet, me ç’rast do ti sigurohen të gjitha mjetet e domosdoshme që ajo të punojë.
“Gjithashtu, ajo se çka ne mund të krijojmë si Komunë e Prishtinës, është krijimi i studiove për fëmijë sepse nuk ekzistojnë ato lloj studio dhe prandaj po mendojmë që të krijojmë studio të reja për artistët e rinj. Kështu, kurdo që Yllka është gati, ne do të shkojmë ta vizitojmë hapësirën e krijuar posaçërisht për Yllkën”, përfundon Berisha.
Kështu, krejt në fund, të pranishmit patën rastin të bisedojnë tutje rreth artit të Yllkës, ku ajo edhe shpjegonte domethënien e pikturave të saj. Kurse, disa shprehën edhe dëshirën për ti blerë disa nga ato piktura, me ç’rast Szunyog, cilësoi pikturën e parë që atij i la përshtypje më së shumti dhe që tani ai do ta mbajë në shtëpinë e tij. / KultPlus.com