4 Shtator, 2021 - 8:28 pm
Një mural ikonik i realizuar në Kabul nga grupi i artistëve ArtLords pas marrëveshjes së Dohas është fshirë nga talebanët, njoftoi në Twitter një prej autorëve Omaid H. Sharifi, i cili ka lënë Afganistanin me familjen e tij këto ditët e fundit.
“Ata kanë filluar. Talebanët kanë filluar të pikturojnë mbi pikturat tona murale. Ata kanë filluar me atë murale historike që shënoi nënshkrimin e marrëveshjes së Dohas. Muralja e Baradar Khalilzad është zhdukur. Në vend të saj një shkrim bardh e zi që thotë “Mos i beso propagandës së armikut”, një citim nga Mullah Haibatullah”, shkroi artisti duke postuar një fotografi të veprës ashtu siç ishte pranë imazhit të murit pas kalimit të talebanëve, transmeton KultPlus.
Vepra, e cila u bë një nga imazhet simbolike të marrëveshjeve të shkurtit 2020, portretizoi të dërguarin special të Trump për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, duke i shtrirë dorën Mullah Abdul Ghani Baradar. / KultPlus.com