31 Gusht, 2023 - 3:26 pm
Piktori i mirënjohur shqiptar Anastas Kostandini, ka çelur një ekspozitë vetjake, në Wismar të Gjermanisë, të titulluar “Një piktor nga Pogradeci, viziton Wismar-in”. Ekspozita ka gjetur jehonë edhe në mediet gjermane, mes të cilëve Wismar TV, në kronikën e të cilit thuhej se, ekspozita e veçantë do të zbukurojë muret e Muzeut Historik Schabbell, deri më 15 tetor.
Në tekstin shoqërues të ekspozitës kuratorja ka shkruar: “Ekspozita në Wismar tregon një prerje tërthore të punës së tij me piktura vaji dhe grafika. Shikuesi fiton njohuri për peizazhin shqiptar, jetën dhe punën e njerëzve në fshat dhe në impiantet industriale. Por gjithashtu nuk mungojnë natyrat e qeta, peizazhet e qytetit si edhe autoportrete të artistit. Gjithashtu një pamje e portit të Wismar-it, të cilën artisti e fotografoi gjatë një vizite në 2014-ën.”
Anastas Kostandini i njohur me emrin e artit Taso, lindi më 29 korrik 1954 në Pogradec, ku jeton e punon sot e kësaj dite. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, për art monumental në 1978 dhe njihet si njëri prej autorëve të mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar./ atsh / KultPlus.com