6 Janar, 2023 - 11:30 pm
Fotografi Mick Rock përshkruan momentin e realizimit të një fotografie ikonike me ish-liderin e grupit Pink Floyd, Syd Barrett, i cili për shkak të problemeve mentale ishte larguar nga grupi, e që më vonë do ta kalojë jetën në izolim.
Shkrimin e tij e gjeni më poshtë:
Duhej të shkoja të fotografoja Syd Barretin, lart në banesë, por kur e pash jashtë makinën e tij, thash: “Duhet ta bëjë edhe një foto me këtë”. Ishte si rekuizitë e mirë. Nëse mbaj mend saktë, ishte një Pontiac Parisienne, që hapej me sustë, me ngjyrë rozë. Mickey Finn, që luante bongon për grupin T-Rex, e kishte marrë në një ankand. Syd e këmbeu Minin e tij për të. Por, nuk kishte asnjë ide si ta ngiste këtë makinë masive amerikane, që në fakt nuk punonte. Mund të shihni se rrota e pasme ishte shfryrë. Mbase është tërhequr deri aty.
Ishte vjeshta e vitit 1969. Ndodhesha në Earls Court duke u përpjekur për të bërë fotografi për albumin e parë solo të Sydit, “The Laughs Madcap”. Kishte një dukje të mahnitshme: një roker i dërrmuar. Mendoj se ai dukej më mirë se kur ishte në Pink Floyd. Ndoshta ishte gjëja më hipi aty. Ishte zgjuar nga shtrati, shkundi kokën dhe u vesh. Nuk kishte stilistë, as asistentë. Kush kishte para për këtë? “Iggy the Eskimo” bëri grimin që kishte nevojë rreth syve. Mendoj se kjo është arsyeja pse shumë foto nga vitet 1960-70 duken kaq autentike: se nuk janë stilizuar nga askush.
Duhet ta kujtoni atë kohë. Po flasim për ditët e hipikëve, të revolucionit seksual, të rinjve rebelues. Gjithçka ishte LSD, hashash dhe dashuri. Kjo periudhë prodhoi inovacione e karaktere kreative, dhe jam i sigurt se LSD-ja kishte të bënte me këtë. Unë sigurisht se nuk do të isha bërë fotograf po të mos kisha marrë LSD. Isha në mes të një udhëtimi acidik kur për herë të parë e kam kap fotoaparatin. Doli se nuk kishte film brenda, por ishte përvojë mahnitëse që më frymëzoi të merresha me fotografinë.
Isha 19 vjeç, por të gjithë ishin të rinj atë kohë. Nuk mendoj se dikush prej nesh njihte dikën mbi 25 vjeç. Ishte një botë krejtësisht e ndryshme: ideja e Mick Jaggerit që kërcen në skenë si 75 vjeç do të dukej qesharake atëherë, madje edhe për të.
Syd ishte piktor i vërtetë. Ishte në shkollën e artit. Kjo është arsyeja pse muzika e tij ishte aq unike, sepse mendonte si piktor – dhe vazhdoi të bënte piktura gjatë tërë jetës së tij. Një nga arsyet pse njerëzit e duan kaq shumë është sepse i njohin faktet e dala në shesh për jetën e tij, meqë ka dhënë pak intervista. Unë në fakt e kam bërë të fundit me të në vitin 1971, e pastaj u tërhoq përsëri në shtëpinë e nënës së tij në Kembrixh.
Njerëzit mendojnë se ai u çmend, por unë jo. Ishte shumë origjinal dhe kjo e shton mistikën. Por, ishte edhe djalë shumë i ëmbël dhe shoku im. / KultPlus.com