10 Dhjetor, 2017 - 9:40 am
“Të ndjekësh ëndrrat”, kështu quhet ekspozita me autor mjekun e njohur Luter Kreshpa e cila do të hapet sot e diel më 10 dhjetor ora 11:00 në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Është një koleksion prej 93 piktura, kryesisht natyra të qeta dhe peizazhe, por edhe disa portrete e skica të cilat do të vijnë për publikun. Tablotë e një stili realist të sjellin pranë natyrën, të cilën artisti e ka shpesh në tablotë e tij. Ekspozita vjen në 81 vjetorin e tij të lindjes, si një homazh i bukur që e bija, Brisejda i bën pas ndarjes nga jeta. I dashuruar me të bukurën, Kreshpa ka ravijëzuar në tablo momente që të çlirojnë teksa i shikon. Kryesisht vizione që reflektojnë qetësi, janë si një kërkesë e vazhdueshme e artistit për të lundruar në ujëra të qeta.
Dhe pse piktura ishte më shumë një pasion në jetën e Kreshpës, në to vihet re një artist i angazhuar i cili ka një njohje të thellë me këtë lloj arti./ KultPlus.com