17 Janar, 2025 - 12:59 pm
Galeria FAB çeli mbrëmjen e djeshme ekspozitën tribut dedikuar kujtimit të një prej personaliteteve më të njohur të pikturës bashkëkohore shqiptare, Besim Tula. Ekspozita “Të ndjesh pamjen” vjen në 75-vjetorin e lindjes së artistit i cili ka ndërruar jetë katër vjet më parë. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 31 janar 2025, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura.
Ekspozita e kuruar nga Era Tula solli një përzgjedhje të veprave të piktorit, nën titullin “Të Ndjesh Pamjen”, që është huazuar nga një botim i vetë artistit i vitit 2015, që përmbledh vizionin e tij mbi estetikën e artit pamor.
Ekspozita hapet me veprën “Vdekja e Nënës” (1990), pikturë që në leximin e kritikut Gëzim Qendro, shërbeu simbolikisht si një paralajmërim për fundin e Realizmit Socialist, duke shënuar “hyrjen e vdekjes në hapësirën e patrazuar më parë të artit totalitar”. Qendro gjykonte se, kjo tablo ishte një nga veprat e fundit të viteve ’80 që shënoi kufirin ndarës midis epokës së Realizmit Socialist dhe periudhës paskomuniste, një vepër ku dallohej më shumë koha që po vinte se ajo që po lihej pas.
Ekspozita mbyllet me veprën “Vrasësit me pagesë” (2020), e cila është dhe puna e fundit e ekspozuar nga vetë artisti.
Përtej këtyre dy akteve që kanë shenjuar krijimtarinë e Besim Tulës, ekspozita paraqet 30 vitet e fundit të rrugëtimit të tij artistik, duke i lejuar kështu vizitorët të dëshmojnë evolucionin e artistit, jo vetëm në aspektin e subjekteve të trajtuara dhe stilit shprehës, por sidomos në kuptimin e tij, gjithnjë e më të thellë, të përvojës njerëzore./atsh/KultPlus.com