14 Dhjetor, 2022 - 2:49 pm
Edicioni i tretë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, do të hapet këtë të premte në sheshin “Zahir Pajaziti”, në pjesën e amfiteatrit, në orën 11.00.
Në këtë panair të librit do të ekspozohen rreth 2 000 tituj të librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur, do të hapen dy ekspozita dhe do të organizohen diskutime me autorë dhe botues dhe ora letrare “Dritë mbi plagë”, ka njoftuar ndihmës organizatori i panairit, Berat Armagedoni.
Ky është programi i edicionit të tretë të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur.
Hapja e panairit
E premte, 16 dhjetor 2022
(Dita e parë e panairit të librit)
Me datë 16 dhjetor 2022, me fillim nga ora 11.00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nis edicioni i tretë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur. Në këtë panair të librit do të paraqiten rreth 2 000 tituj të librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur nga fusha e letërsisë, e gjuhësisë, e historisë, e etnologjisë, e etnografisë, e antropologjisë, e filozofisë, e eseistikes, e estetikës, e filmit, e teatrit etj. Po me rastin e hapjes së panairit, në bashkëpunim dhe bashkorganizim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, në orën 11.20 hapim ekspozitën Të ndarë, por të pashkëputur dhe ekspozitën me dokumente arkivore Dhimitër Pasko.
E premte, 16 dhjetor 2022
(Dita e parë e panairit të librit)
Me datë 16 dhjetor 2022, me fillim nga ora 13.00, në sallën e konferencave të “Swiss Diamond Hotel” në Prishtinë, në bashkëpunim dhe bashkorganizim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, përurojmë librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”. Flasin për librin: Bedri Islami, Shaban Sinani, Muhamet Mavraj, Abdulla Azizi.
E shtunë, 17 dhjetor 2022
(Dita e dytë e panairit të librit)
Me datë 17 dhjetor 2022, me fillim nga ora 11.00, në Fakultetin e Arteve të Bukura të Universitetit të Prishtinës, në “Art Centër”, organizojmë tryezën “Drama shqipe”, me të ftuarit prof. dr. Haqif Mulliqi dhe prof. ass. dr. Emin Z. Emini.
Moderatore: Alketa Gashi Fazliu
E shtunë, 17 dhjetor 2022
(Dita e dytë e panairit të librit)
Me datë 17 dhjetor 2022, me fillim nga ora 14.00, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës organizojmë orën poetike “Dritë mbi plagë”.
Të pranishmëve do t’u dhurohet nga një ekzemplar i librit “Dritë mbi plagë”.
Moderatore: Alketa Gashi Fazliu
Interpretues: Avni Dalipi, Alketa Gashi Fazliu, Vedat Haxhiislami
E shtunë, 17 dhjetor 2022
(Dita e dytë e panairit të librit)
Me datë 17 dhjetor 2022, me fillim nga ora 15.00, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës organizojmë tryezën për romanin “Eskadronët e vdekjes” të autorit Bardhyl Mahmuti.
Flasin për librin shkrimtarë, studiues, kritikë, publicistë, ish-të burgosur në Burgun e Dubravës (përjetues të masakrës).
Të pranishmëve do t’u dhurohet nga një ekzemplar i librit “Eskadronët e vdekjes”.
Moderatore: Alketa Gashi Fazliu
E diel, 18 dhjetor 2022
(Dita e tretë e panairit të librit)
Me datë 18 dhjetor, me fillim nga ora 12.00, në kuadër të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës organizojmë tryezën shkencore “Sfidat e botuesve”. Të ftuar botues nga Kosova.
E diel, 18 dhjetor 2022
(Dita e tretë e panairit të librit)
Me datë 18 dhjetor, me fillim nga ora 10.00-12.00, në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me këtë Agjenci, organizojmë punëtorinë “Shërimi i materialit arkivor”.
E diel, 18 dhjetor 2022
(Dita e tretë e panairit të librit)
Me datë 18 dhjetor, me fillim nga ora 10.00-15.00, në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, në stendat e Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, organizohet “Dita e dhurimit të librit” dhe bëhet pranim-dorëzimi i librave të dhuruar nga individë, shtëpi botuese, OJQ. për bibliotekat e shkollave të komunës së Prishtinës.
Ndihmëtarë materialë për organizimin e panairit: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com