28 Gusht, 2019 - 9:06 am
Për pesë muaj, tetë të rinj kanë mësuar për mediume të ndryshme të artit vizual.
Ata përmes artit janë përpjekur që të shfaqin brengat e tyre për ambientin dhe të propozojnë zgjidhje për ruajtjen e mjedisin. Dëshirë e tyre është që të jetojnë në një ambient të pastër. Gjithë këtë ata do ta shfaqin edhe përmes një ekspozite e cila do të hapet më 29 gusht në Galerinë Kombëtare të Kosovës me titullin “Arti në mbrojtje të ambientit”.
Kjo ekspozitë njëherësh do të përmbyllë projektin me artistët adoleshentë të grupit “Artteen”, laboratori i kreativitetit, projekt i Galerisë Kombëtare të Kosovës i cili zhvillohet në kuadër të programit të edukimit. Projekti ka për qëllim që të mbledhë adoleshentët e talentuar në arte vizuale dhe së bashku me ta të punojë në mediume të ndryshme të artit vizual. Është viti i dytë i konkretizimit të këtij projekti. Veprat e artit të punuara nga pjesëmarrësit do të jenë kampanjë për vetëdijesimin e gjeneratave të reja për reduktimin, zëvendësimin dhe riciklimin e mbeturinave.
Vlora Hajdini, koordinatore e programit të edukimit në GKK dhe njëkohësisht udhëheqëse e projektit “Artteen Club”, ka thënë se pjesëmarrësit të cilët janë adoleshentë janë mjaft mirë të njohur me aktualitetin dhe me ndotjen që po i bëhet mjedisit.
Ajo ka thënë se këta tetë adoleshentë gjatë këtyre muajve kanë eksperimentuar dhe mësuar për shprehje të ndryshme të artit pamor.
Sipas saj, pjesëmarrësit në mënyrën e tyre kanë treguar gjendjen aktuale të ndotjes në vend dhe njëkohësisht kanë shprehur dëshirën e tyre për të jetuar në ambient të pastër. / Koha.net/ KultPlus.com