25 Tetor, 2020 - 8:30 pm
Medina Pasoma
Fotografitë: Nok Selmani
Evolucioni i aparateve që nga antiket e deri te digjitalet e sotme, fotografitë të cilat kishin kapur momente të mrekullueshme ndër vite, filma të ndryshëm dhe plotë gjësende që i rezistonin kohës e mbushnin katërmurëshin e atelies së Hazir Rekës në Nerodime të Ferizajt.
Në përmbylljen e punëtorisë së fotografisë të organizuar nga ProPlus, pjesëmarrësit nuk patën rastin të shohin vetëm shkrepje fotografish të Rekës, mirëpo në atelien e tij rronte kujtesa kolektive, rezistenca shqiptare, dhimbja e refugjatëve, portrete plotë energji dhe historia e një populli ndër epoka të ndryshme, shkruan KultPlus.
Të rinjtë me entuziazëm për fotografinë i bashkoi organizata ProPlus me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, në punëtorinë e fotografisë në krye me mjeshtrin Hazir Rekën në kuadër të projektit “Pen for Culture”. Në ditën përmbyllëse të kësaj punëtorie, fotografi i njohur hapi dyert e atelies së vet, pas trajnimit të këtyre të rinjve në KultPlus Caffe Gallery, për t’i frymëzuar tejet shumë nismëtarët e rrugëtimit fotografik.
Punëtoria fotografike e cila përmbylli ciklin e organizimeve në kuadër të projektit “Pen for Culture”, ishte një përvojë tre ditore për të rinjtë, e fokusuar në fotografimin e natyrës, pamjeve urbanistike dhe portreteve, teknikë kjo e zgjedhur nga profesionisti Reka, në mënyrë që shumëllojshmëria t’i garantoj të rinjve gjetje të vetes.
Drejtoresha e ProPlus, Ardianë Pajaziti për punëtorinë e tretë me radhë, pas asaj të esesë dhe pikturës në kuadër të projektit “Pen for Culture”, vlerëson lartë kontributin e profesionistëve në këtë rrugëtim të zbulimit të talenteve, duke përmendur Zake Prelvukajn, Vjosa Hamitin dhe Hazir Rekën.
“Kjo eskperiencë do të jetë një ndër eksperiencat më të paharruara, sepse nëpërmjet këtij projekti kemi zgjuar talentin te shumë të rinj, si në pikturë, ese dhe fotografi”, shprehet Pajaziti.
Tutje ajo thekson se do të ndjehet shumë e lumtur nëse ndonjëri prej këtyre të rinjve që kanë marë pjesë në këto tre punëtori, këtë përvojë do të përdorë edhe si rrugëtim jetësor.
Në atelien për krijimin e së cilës Reka kishte dhënë 12 vite mund, çdo qosh kumbonte një histori. Aparatet e shumta që syri nuk mund t’i numëronte dhe fotografitë që përqonin emocione të mëdha, dëshmonin përpjekjen shumëvjeçare dhe profesionalizmin e mjeshtrit, i cili fotografinë e kishte kthyer në mision, ndërkaq jetën e kishte rrezikuar disa herë rresht, vetëm e vetëm që ta mundësonte dokumentimin real dhe historik.
Të rinjtë në atelie ndërronin role, sa bëheshin fotografisti e sa protagonisti, të cilëve iu bëheshin foto-portrete. Këtë cikël procesesh i bënin që të kenë mendim të qartë për pozicionin e duhur, dritën, këndin nga i cili duhej të fotografohej, hijen prapa personit dhe shumë detaje të tjera, të cilat me ndihmën e Rekës merrnin formën më të bukur.
“Unë me qëllim insistova në fillim që ata t’i bëjnë portrete njëri tjetrit dhe mandej ua prezantova portretet që unë i kam realizuar më herët mirëpo, portretet e mia nuk kanë qenë të realizuara në studio por, kanë qenë të luftës”, shprehet Reka i cili me aparatin e tij fotografik ka ndalur kohën.
Në atelien e tij merrnin frymë edhe aparatet e tij të cilat i kishte përdorë 35 vite më parë, atëherë kur fotografia ishte më shumë dokumentim sesa një pamje e thjeshtë.
“Unë kryesisht jam marrë me fotografi dokumentare, protesta, demonstrata, lufta, refugjatë. Gjithmonë kanë qenë punë të rrezikshme ndërkaq, kur kam realizuar fotografi peizazhi e kam gjetë pak kohë për të pushuar prej dokumentares”, tha profesionisti Reka.
Gjithë rrëfimin kohor më së miri e shprehnin fotografitë. Dhimbjen e lënies së atdheut nën dorën e okupatorit dhe shpresën për mbijetesë, Reka e kishte zënë nga këndet e vogla të dritares së trenit të nisur për në Bllacë të Maqedonisë. Duar të vendosura në xham, sy të trishtuar, lot që rrokulliseshin në mollëzat e fëmijëve, lodhje mbarëpopullore dhe pafajësia e civilëve flisnin përtej fjalëve, nëpërmjet portreteve që objektivi i Hazirit i kishte kapur.
Duke qenë jetues i epokave të ndryshme, ai nuk u kursye të ndaj me pjesëmarrësit e punëtorisë dy reportazhe fotografike krejtësisht të kundërta nga përmbajtja dhe mesazhi, të cilat kishin një largësi të gjatë kohore. Ai shpalosi rezistencën popullore gjatë vitit 1990, atëherë kur zhvillohej takimi mes Alternativës kosovare dhe senatorëve e kongresmenëve amerikanë në sheshin e Prishtinës. Hoteli Grand kishte qenë vendndodhja e protestuesve shqiptarë, të cilët i priste policia e atëhershme. Fatmirësisht Haziri kishte dëgjuar një epror t’i thoshte një polici se për 2 minuta do të intervenojnë te popullata civile, andaj ai shpejt e shpejt kishte ndërruar objektivin e tij dhe kishte kapur fotografinë e një burri i cili ulet në tokë dhe ia kap tjetrit pantallonat, në mënyrë që policia mos të ketë se si t’i largoj nga aty duke qenë në tokë.
Por, aparati i Hazirit nuk ishte përballur vetëm me skena të luftës, ai kishte vazhduar hovin e tij të punës edhe në kohë paqeje, duke sjell pamje të ndryshme të kulturës sonë.
Për fotografët e rinj ai shpalosi reportazhin e realizuar një javë më parë, i cili kishte qenë prezent te një familje pejane përgjatë kohës sa ishin duke e përgatitur hajvarin. Ndërkaq, mesazhi që ai përçonte te të rinjtë nëpërmjet këtij rrëfimi qëndronte në faktin se fotografi duhej të kishte durim, njësoj siç ai kishte pasur që të jetë me atë familje që nga blerja e specave, bluarja, përzierja e deri te shtruarja e tavolinës për ta ngrënë, pas 6 orëve punë.
Rrëfimet dhe pamjet që sillte Reka përbrenda atelies së tij padyshim që i pëlqyen shumë pjesëmarrësve. Bora Thacin e ka bërë për vete çdo detaj aty brenda dhe sa më shumë që i shikonte, aq më shumë i rritej kureshtja për këtë drejtim.
“Gjithmonë ka ekzistuar nevoja që dikush ta kap aparatin dhe të bëj fotografimin e diçkaje, madje aparatet, fotografitë dhe gjithçka tjetër që kam parë sot në atelie më kanë treguar se fotografia gjithmonë do të jetojë”, vlerësoi Thaci.
Ajo thekson se pas kësaj punëtorie interesimi iu është rritur dhe është përcaktuar në fotografimin e njerëzve.
“Nga kjo punëtori kam fituar shumë dituri ndaj fotografisë, aparateve dhe përdorimit të tyre, ndriçimin, mënyrat se si kapet më mirë një fotografi, dhe kur kemi të bëj me portrete kam mësuar se duhet t’i kushtoj rendësi vijave të fytyrës së personit”, tha Bora Thaci.
E mësime për fotografinë, përvojat e Rekës dhe durimin si element kyç për këtë rrugëtim i ka marrë edhe Diar Besaj. Ai theksoj se ndjehet i privilegjuar që ishte pjesëmarrës në këtë punëtori, teksa shton se tanimë fotografinë ka filluar ta shoh më ndryshe se më parë.
“Këndvështrimi im ka filluar të ndërrohet për nga vlera që tanimë e shoh në fotografi, sepse më parë e kam parë si diçka që e shpreh një ngjarje por, tash kam arritur ta shoh më thellë dhe ta përjetoj atë”, tha Diar Besaj.
Nga atelia e Rekës ai mbeti i fascinuar për origjinalitetin që pa, ndërkaq nga gjithë opusi fotografik, ai vlerësoi më së shumëti ato që janë realizuar në kohëra të rrezikshme.
“Fotografitë të cilat i ka bërë gjatë, mendoj që kanë qenë më me vlerë, të cilat portretizojnë dhimbje, ndjenjën e lënies së atdheut jo prej dëshirës”, shtoj Besaj.
Vlerësime për fotografitë e shumëta të Hazir Rekës dha edhe pjesëmarrësja, Erleta Gashi. Nëpërmjet kësaj punëtorie dhe shansit të dhuruar për takim me veprimtarinë e Rekës, asaj iu është shtuar interesimi për hulumtim të fotografisë më tutje.
“Të gjithë ne që kemi marrë pjesë mendoj se kemi pasur fat të takohemi dhe punojmë me fotografistin Hazir Reka”, tha Erleta.
Gashi shtoi se në momentin që kishte parë aparatet e vjetra, asaj iu dha ndjesia sikur Reka kishte përshkruar një jetë të tërë nëpërmjet tyre.
Përmbyllja e kësaj punëtorie të fotografisë do të jetë një nismë rrugëtimi për gjithsecilin që e ka pasion fotografinë dhe do të mbetet një kujtim i paharrueshëm falë profesionalizmit dhe ekipit bashkëpunues. Ndërkaq këndvështrimet e ndryshme që kishin këta pjesëmarrës do të kurorëzohen nëpërmjet ekspozitës së fotografive në KultPlus Caffe Gallery./KultPlus.com