27 Shtator, 2019 - 11:30 pm
Nga: Lydia Figes dhe Andrew Shore
Përktheu: Monika Stafa
Qëndrimi shtrirë i modelit është një nga pozat më të njohura në historinë e artit botëror. Ky është një moment i ngulitur fort në traditat historike të artit perëndimor dhe atij lindor.
Buda i shtrirë
Buda i shtrirë, është një vepër që përsëritet në pjesën më të madhe të ikonografisë në artin budist. Motivi merr shkas nga gjendja e pas vdekjes kur njeriu ka arritur të përjetojë një gjendje të lartme siç është ajo e një çlirimi shpirtëror (nirvana). Ky qëndrim i shtrirë në të shumtën e herës përçon domethënien e së drejtës që të jep statusi elitar që personazhi mbart.
Vepër nga Burma, me autor të panjohur
Në botën e lashtë greke dhe romake, perëndeshat, nimfat dhe figura të tjera mitologjike vizatoheshin shpesh herë të shtrira. Tipikisht sidomos, perëndesha romake e dashurisë, Venera (Afërdita), u shfaq në një skulpturë krejt e zhveshur dhe zbathur, megjithëse portretizimet e saj më të famshme nuk e kishin përshkruar atë në një plan të tillë horizontal.
Venusi i Mediçëve, shekulli XVIII
Në këmbë apo shtrirë, ajo më së shumti të herës është përpjekur t’i mbulojë pjesët e saj private. Piktori i Rilindjes, Giorgione (1477-1510) ishte një nga të parët që e popullarizojnë një nudo femërore, me veprën e tij “Venusi duke fjetur” (1508-1510).
Venera e Urbinos (nga Titiani)
Kjo u pasua me Venerën e Titianit, në vitin 1538. Përgjatë historisë së artit, artistët evropianë vazhduan të imitojnë vizionin e Giorgione me një Venus të shtrirë. Kësaj tabloje nuk i shpëtoi as piktori francez i epokës rokoko, Francois Boucher. Edhe ai pikturoi një princeshë nudo të shtrirë në një mënyrë të tillë.
Danaë nga Boucher
Tradita e portretizimit të figurave me një qëndrim të shtrirë vazhdoi me shekuj. Pauline Borghese, motra e Napoleon Bonapartit, një fisnike italiane e sërës së lartë, e kishte skalitur veten si në imazhin klasik të një Venusi të përsosur.
Pauline Borghese nga Antonio Canova
Sir Brooke Boothby, u portretizua gjithashtu në një pozicion të shtrirë kur u pikturua nga Joseph Wright, më1781. Një fisnik i lartë anglez dhe trashëgimtar i madh tokash, Boothby ishte një poet dhe filozof amator.
Sir Brooke Boothby nga Joseph Wright
Më 1870, James Tissot pikturoi këtë portret të Frederick Burnaby, i cili ishte një student i ri, që më pas iu bashkua ushtrisë. Burnaby ishte një figurë e shoqërisë së lartë victoriane. Ai vdiq 15 vjet më vonë prej pozimit për Tissot, në Betejën e Abu Klea-s.
Frederick Burnaby nga James Tissot
Në shekujt e XIX-të dhe XX-të, artistët vazhduan të eksplorojnë mbi pozicionin shtrirë të figurës qendrore që pozonte. William Etty pikturoi me qindra nudo të shtrira sensuale dhe provokuese, për të cilat ai u kritikua për shkak të pamjes së tyre shumë reale.
Figurë e shtrirë nga William Etty
Etty ishte duke ndjekur gjurmët e shumë artistëve të famshëm të kohës, përfshirë edhe Goya-n, i cili pikturoi dy ‘Maja’, një e veshur dhe tjetra nudo, por të dyja të shtrira. Goya mund të jetë frymëzuar nga bashkatdhetari i tij, Velázquez, nudoja e vetme e të cilit paraqitej gjithashtu e shtrirë, e njohur ndryshe si ‘The Rokeby Venus’.
Majat e Goya-s
Një tjetër pikturë tepër e famshme e një nudoje të shtrirë dhe që u frymëzua drejtpërdrejt nga Venera e Titianit, është Olimpia e E. Manet. Konsiderohet sot si një nga portretet më tronditëse të Manet, i cili u bë dhe artisti i parë i famshëm që vendosi një grua të bardhë moderne në këtë pozicion, ndërsa audienca u trondit. Olimpia nuk paraqitet thjesht e shtrirë, pasive me sytë e saj gjysmë të mbyllur, por përkundrazi, ajo shikon ngultazi çdo vizitor që zor se ia del pa u provokuar prej shikimit të saj.
Olimpia e Manetit
Dhe, megjithëse piktura ishte revolucionare në prurjen e re që ajo pati, Olimpia vetëm se shtoi listën e gjatë të veprave artistike të kryera nga artistë meshkuj që vetëm ata mund të shfaqnin gra lakuriq shtrirë. Në vitin 1989, një grup artistesh feministe me nofkën “Vajzat guerrile” tërhoqën vëmendjen me një trend të ri. Ato krijuan një poster ku në qendër ishte një vajzë haremi, në të cilën shkruhej: “A duhet që gratë të jenë lakuriq për të hyrë në Muze?”/KultPlus.com