9 Mars, 2022 - 3:27 pm
Të shtunën, më 12 mars, nga ora 18:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery do të hapet ekspozita ‘8 cepat’ nga artisti Drilon Shoshi, përcjell KultPlus.
Në këtë ekspozitë, artisti Shoshi do të paraqitet me 10 punime, arti i të cilit bazohet në simbole dhe figura që datojnë shekuj më parë, sikurse që është ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij.
Poashtu në veprat e Shoshit është e dukshme inspirimi nga Emblema e Gjergj Kastriotit, yllit zanafillor me 8 cepa, portave të vjetra shqiptare, ngjyra e kuqe që simbolizon gjakun e derdhur të shqiptarëve nëpër periudha të ndryshme, pastaj trekëndëshat, hëna, dielli, sikurse edhe ngjyra e zezë, që sipas autorit është ngjyrë që u shton vetëbesim dhe i jep fuqi autorit.
Ekspozita ‘8 cepat’ ka kurator Ilir Muharremin.
“Drilon Shoshi, është një artist i ri, artist mendimtar i cili mendimin e kthimit e jetëzon në simbole, veçanërisht te ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti- Skënderbe në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij. Ylli me tetë cepa, misteri i fuqisë, qëndresës, syri i Davidid që bashkon forcën e natyrës qoftë aktive e qoftë pasvive. Shpirti i Drilonit lundron drejt këtyre skutave historike, qëllimi i artistit është ta ringjallë historinë, duke mos gërmuar në të, por vetëm ta sintetizojë, ilustroj, qëndisë me forcën kompozcionale, të formës, ngjyrës, baraspeshës, simetrisë që ta ndezin trurin drejt një deliri dhe ekstaze dehëse Dionisiane. Mendimi i bashkohet kësaj vorbulle dhe nxiton drejt një të kuqe si simbol i gjakut të derdhur të shqiptarëve gjatë historisë, pastaj e zeza, zilia, të vuajturit, dhembje dhe dhembje dhe ai plotëson magmën shpirtërore nga kjo e zezë, katran, që tejkalon çdo instikt dhe forcë të brendshme, përtej vallëzimit të makthit, sekreteve, kodeve mitologjike që u krijuan nga njerëzit dhe besimi ngriti pushtetin përtej perëndisë dhe çdo kush një ditë është ndjerë i barazuar me perëndinë, të cilen e krijoj vet njeriu.” – thotë Muharremi për këtë ekspozitë.
Ndërkaq ai flet edhe për portën, e cila është karakteristikë e veprave të Shoshit.
“Porta duket e mbyllur, pas disa çastesh ajo hapet, lëvizje sikur vepron brenda kohës tënde dhe koha jote shkrihet me kohën e artistit, pra një plan brenda një rastësie çudake. Koloriti është i pastër, i përzier mirë, ruan dendësinë, identitetin, shtrihet mbi sipërfaqe të kufizuar brenda formës duke krijuar teksturë e sipër disa relieve. E kuqja ndër këtë relive është e ndërsuazuar me vesrion të vuajtjes dhe kontrastit artistik pra me të zezën, këtu shkrihet ana emocionale dhe rregulli artistik pra mendor , ngacmimi estetik, simetrik për të vazhduar më tutje ballafaqimi. “ – shton më tutje kuratori Muharremi.
Ekspozita ‘8 cepat’ do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com