“Tejdukshmëri ekzistenciale”, ekspozita vetjake e piktorit Krist Dimo në COD

11 Janar, 2025 - 1:30 pm

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) e nisi aktivitetin e saj kulturor për 2025, me ekspozitën e piktorit Krist Dimo, të titulluar “Tejdukshmëri ekzistenciale” ku në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Drejtoresha e COD, Jetona Koçibelli është edhe kuratorja e kësaj ekspozite vetjake, ku piktura e Dimos shqyrton ndikimin e shoqërisë moderne dhe postmoderne, duke ofruar një përvojë vizuale, që është njëkohësisht edhe një përvojë mendore dhe emocionale për shikuesin.

Në shkrimin kuratorial, puna e Krist Dimos paraqitet si një kërkim për të kuptuar natyrën e ekzistencës njerëzore, që shpesh është e mbushur me tensione dhe kontradikta, konflikte të brendshme dhe të jashtme, por gjithashtu është një hapësirë e pafund mundësish.

Fytyrat e njeriut të mbytur, si kafka, me sy bulbozë, hundë të lyer dhe dhëmbë të dukshëm, si dhe skicat anatomike, përshkruajnë devizën e artit të tij. Kanavacat e mëdha të Dimos vibrojnë me ngjyra, shenja, forma dhe tekste.

Veprat e Dimos janë më shumë se thjesht imazhe, ato janë një thirrje për reflektim dhe një mundësi për të menduar për botën që na rrethon dhe rolin tonë brenda saj.

Në shumë prej veprave të tij, Krist Dimoja eksploron ndikimin e shoqërisë moderne e postmoderne tek individi, duke shqyrtuar aspektet e identitetit, të lirisë dhe të shprehjes personale.

Krist Dimo lindi në Durrës, në vitin 1956. Përpara vitit 1991, orientimi i tij ndaj pikturës ishte pothuajse jo formal. Talenti dhe stili i tij autodidakt e udhëhoqi në këtë periudhë.

Pas vitit 1991, duke emigruar në Itali (Foggia) mund të flasim për një periudhë të vërtetë formimi, duke iu përkushtuar krejtësisht pikturës. Kjo falë prof. Dario Damatos (drejtor i Akademisë së Arteve Foggia 1988-2000), i cili i krijoi kushtet për të punuar dhe për t’u zhvilluar. I gjithë qëndrimi 10-vjeçar i tij në Itali ishte mjaft produktiv dhe shërbeu si bazë e prodhimtarisë së tij artistike (kuadrot e kësaj periudhe janë në një koleksion privat në Romë).

Ka marrë pjesë në “ekspozitat e nëntorit” në Galerinë Durrës, si dhe në Galerinë Kombëtare (Tiranë, 1982). Pas “Onufri 2000”, Tiranë, e gjithë prodhimtaria i përket periudhës 2015-2024. Së fundmi ka qenë pjesëtar i Fedac Found Brussels, Hambly and Hambly dhe galeria Kiro Group C Irlande, si dhe Eine Art Galery.

Ekspozita Ekspozita që përmban 31 vepra artistike dhe do të qëndrojë e hapur për publikun nga 11 janari, deri më 14 shkurt 2025./ KultPlus.com

Të ngjajshme