12 Janar, 2025 - 10:09 pm
“Tejdukshmëri ekzistenciale” titullohet ekspozita vetjake e piktorit Krist Dimo që u çel në Qendrën për Hapje dhe Dialog.
Ndikimi i shoqërisë moderne dhe postmoderne shqyrtohen në pikturat e Dimos, duke ofruar një përvojë mendore dhe emocionale për shikuesin.
Në ekspozitën e kuruar nga Jetona Koçibelli, puna e Krist Dimos paraqitet si një kërkim për të kuptuar natyrën e ekzistencës njerëzore, që shpesh është e mbushur me tensione dhe kontradikta, konflikte të brendshme dhe të jashtme, por gjithashtu është një hapësirë e pafund mundësish.
“Për pikturën time unë bazohem më shumë në intuitën, instiktin. E lë vetën më tepër të shkojë drejt subkoshiencës, dhe kur fillon arsyeja, kuptoj që kam hyrë në realitet dhe po hyre në realitet kjo lloj pikture nuk funksionon”, tha piktori Krist Dimo.
Fytyrat e njeriut të mbytur, si kafka, me sy bulbozë, hundë të lyer dhe dhëmbë të dukshëm, si dhe skicat anatomike, përshkruajnë devizën e artit të tij. Kanavacat e mëdha të Dimos vibrojnë me ngjyra, shenja, forma dhe tekste.
Veprat e Dimos janë më shumë se thjesht imazhe, ato janë një thirrje për reflektim dhe një mundësi për të menduar për botën që na rrethon dhe rolin tonë brenda saj.
I pranishëm në ekspozitë ishte dhe kryeministri Edi Rama.
“Jam një admirues i pikturës së Kristit. Për hir të vërtetës kjo është një pikturë që të krijon idenë se kjo është një pikturë e një njeriu që nuk ka bërë shkollën, por është shumë e lirë, ekspresive, personale dhe autentike”, tha kryeministri Edi Rama.
Në shumë prej veprave të tij, Krist Dimoja eksploron ndikimin e shoqërisë moderne e postmoderne tek individi, duke shqyrtuar aspektet e identitetit, të lirisë dhe të shprehjes personale.
Ekspozita që përmban 31 vepra artistike dhe do të qëndrojë e hapur për publikun nga 11 janari, deri më 14 shkurt 2025./ euronews/ KultPlus.com