9 Janar, 2022 - 2:25 pm
Nga Aurenc Bebja, Francë
“Tempo” ka botuar, me 2 dhjetor 1973, në faqen n°85, një shkrim për piktorin e shquar shqiptar Ibrahim Kodrën.
Kur Ibrahim Kodra mbërriti në Milano në vitin 1944 dhe organizoi atelienë e tij të parë, ai ishte 26 vjeç. Por tashmë një jetë për të treguar. Ashtu si ajo e përrallave me mbretër, mbretëresha, njerka, por edhe mundime, vuajtje, heqje dorë. Dhe si në të gjitha përrallat, një fund i lumtur. Sepse Kodra tani është një piktor i njohur.
I lindur në Shqipëri në vitin 1918, ai mbetet jetim. Njerka nuk e do atë. Ai largohet. Por tashmë ai fillon të pikturojë. Një portret i tij i shfaqur në një vitrinë vihet re nga një zyrtar i oborrit mbretëror, i cili flet për të me mbretëreshën. Ai shkon në oborrin mbretëror dhe ftohet të qëndrojë atje për të studiuar me nipin e mbretit Zog. Ndoqi një shkollë arti dhe fitoi një bursë për të studiuar në Itali. Fati i tij u vulos. Ai nuk do të lëvizë më nga Italia. “Në Shqipëri jam shumë i dashur dhe i njohur – thotë Kodra. – Shpresoj të kthehem.”
Studio e tij është e zhveshur dhe modeste. Atij i pëlqen të presë këdo që shfaqet në derën e tij. Të rinjtë janë mbledhur rreth këmbalecit dhe diskutojnë: është puna e tij e fundit që po përfundon për ekspozitat që do të mbajë pranverën e ardhshme në Milano.
Tani ai ka një ekspozitë në “Qendrën e arteve” në Saronno: të gjithë prodhimin (veprën) e tij më të fundit, 30 telajo që kanë si temë njeriun dhe lirinë. “Kodra është primitivi i një qytetërimi të ri”, shkruante Paul Eluard për të në vitin 1947. “Me pikturën time – thotë Kodra – përpiqem mbi të gjitha të realizoj masën (matjen) relative që ka të bëjë me perceptimin e njeriut në hapësirë, duke e vendosur, si në Rilindje, njeriun në qendër të Universit”.
Në foto: Kodra përfundon një “Homazh për Bertolt Brecht”.
(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)