21 Mars, 2023 - 11:36 am
Në shikim të parë të marrin vëmendjen portretet që duket sikur flasin, flasin për një botë të brendshme, ku sa duket një gjendje psikike e tyre, përnjëherë të kalon te një emocion apo eksperiencë që vjen në një formë frymëzimi shfaqur në letër.
Këto portrete të punuara nga artisti i ri por tejet i talentuar Flamur Miftari, ishin bërë bashkë për tu prezantuar mbrëmë para publikut në KultPlus Caffe Gallery ku edhe u hap ekspozita e titulluar “The journey continues…”. Ekspozita paraqiste një seri prej 15 veprash të autorit të realizuara me teknikën e vajit dhe akrilit dhe kishte mbledhur mbrëmë rreth vetës një numër të konsiderueshëm artdashës, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë dominuan portretet, që ndjekin rrugën e shfaqjes së botës së brendshme të autorit Flamur Miftari. Portretet ishin shprehur në forma të caktuara dhe mund të interpretoheshin në mënyra të ndryshme. Këto portrete nuk ishin thjesht figura, por shprehnin një lloj të ndryshëm të frymëzimit dhe emocionit.
Flamuri është një artist i ri i cili ka arritur të ndërtojë një identitet në botën e artit shqiptar. Portretet e tij janë me një qasje unike ndaj subjekteve të tyre.
Në hapje të kësaj ekspozite e para mori fjalën Ardianë Pajaziti, themeluesja e KultPlus, e cila u shpreh e lumtur që artisti Flamur Miftari po prezantonte këtë ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery.
“Kjo është ekspozita e dytë personale e artistit Flamur Miftari, por e para në KultPlus Caffe Gallery. Miftari e ka sjellë një frymë shumë të mirë në ambientin tonë dhe ne jemi të lumtur për këtë gjë. Andaj ju ftojmë edhe juve që të vizitoni këtë ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur për dy javë”, ka njoftuar Pajaziti.
Tutje, për artin e tij foli edhe vetë artisti, ku përmes veprave tregonte aftësinë për të krijuar art të shquar, dhe siç thotë vetë artisti, ai mundohet të paraqesë botën e tij të brendshme nëpërmjet pikturës. Në disa prej tyre, ai paraqet veten, ndërsa në disa të tjera, ai paraqet njerëz që e kanë ndikuar atë në mënyra të ndryshme.
“Këto janë punime ku dominojnë më shumë portretet, punime që përmbajnë më shumë prekjen e njeriut (Human Touch), dhe piktura që shprehin më shumë emocion, gjendje psikike dhe paqe mendore. Shumica e punimeve paraqesin gjendjen e njeriut në hapësirë, eksperienca e lloje të ndryshme”, ka thënë Miftari në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.
Një nga veprat më të shquara në ekspozitë ishte edhe portreti që paraqiste një njeri të moshuar që rrudhat i kishin kapluar fytyrën e njëkohësisht flisnin për jetën e vështirë që kishte kaluar. Duke ndjekur vështrimin e personit në portret, shikuesi arrinte të bënte një rrugëtim të fshehtë në botën e tij të brendshme.
Ky portret i kishte marr artistit plot 3 muaj kohë deri në finalizim.
“Ky portret tregon rrudhat dhe sa kohë ka kaluar, në çfarë pengesa jetësore ka kaluar. Çdo rrudhë paraqet një mësim për rrugëtimin jetësor. Edhe sytë që shikojmë i bijën më saktë që është duke e parë krejt jetën e vet, çka ka përjetuar”, ka thënë artisti Miftari.
Figura e Markus Aurelus, e cila e paraqet Romën Antike duke u shpërbërë, Kështjella në Gjermani apo Letra e një vajze për të dashurin e saj ushtarë, janë disa nga veprat tjera të kësaj ekspozite të cilat e dëshmojnë edhe më shumë veprën e Miftarit, si artist që premton shumë.
“Këto të tjerat janë si një lojë, por një lojë serioze. Punime me fytyra antike, kemi edhe portrete më moderne. Punimet në përgjithësi janë vetë treguese, mund t’i interpretoni si t’i shihni ju, secili mund të krijojë një mendim të vetin në bazë të eksperiencave që i ka pasur sepse veprat janë të hapura për interpretim. Qëllimi është të stimulojmë mendim, kujtime, ndjenja. Secila figurë mund të degëzohet në shumë interpretime dhe në shumë seri të vetme”, ka shtuar më tej artisti.
Pas analizës për portretin e njeriut të moshuar profesori dhe regjisori, Fadil Hysaj, potencoi se Miftari është një artist i ri i cili premton shumë pasi ka aftësinë për të paraqitur në mënyrë të jashtëzakonshme brendësinë e personazhit pa e deformuar figurën e tij.
“Konsideroj që është një autor i brezit të ri i cili mundohet që ta shoh njeriun në atë përmasën e brendshme pa pretenduar që ta deformojë figurën e tij. Zakonisht pretendimet për ta parë brendësinë kur e humbasim atë të jashtmen mendoj që arrijmë efektin e njëjtë sikurse mos ta shohim brenda fare. Por duke e ruajtur jashtësinë e figurës, duke u munduar që përmes detajeve të mbulojë atë që ka brenda, ky piktor mendoj që premton një autorësi të veçantë, pra mendon që nuk ka nevojë për të deformuar një figurë për të nxjerrë ekspresionin e brendshëm, për ta bërë të dukshëm, sepse ne nga natyra kursehemi, e kursejmë mbrendësinë edhe mundohemi të krijojmë një imazh shpesh të rrejshëm jashtë, por një detaj shpesh na nxjerr, na dekonspiron”, ka thënë profesori Hysaj i cili tutje ka falënderuar edhe KultPlus Caffe Gallery për hapësirën që u ofron artistëve të rinjë, që të paraqesin punën e tyre dhe të fillojnë karrierën.
Ekspozita “The journey continues…”, do të qëndroj e hapur dy javë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. / Vjollca Duraku / KultPlus.com